Ndërlidhjet

Lugina voton për Asociacionin e Komunave Shqiptare


Ilustrim
Ilustrim

Përfaqësuesit politikë në Luginë të Preshevës kanë dhënë votën e tyre për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare.

Takimi i thirrur nga Këshilli Kombëtar Shqiptar është mbajtur në ndërtesën e Kuvendit Komunal në Preshevë. Kurse, votimi ka rezultuar me mbështetje unanime për deklaratën për themelimin e Asociacionit, pa asnjë votë kundër.

Në mbledhje kanë marrë pjesë të gjithë delegatët, përveç atyre nga Partia e Veprimit Demokratik që udhëhiqet nga Riza Halimi.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Shqiptare të Luginës së Preshevës, sipas përfaqësuesve shqiptarë të atjeshëm, do të ketë fuqinë e njëjtë juridike me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Republikën e Kosovës, duke u bazuar në parimet e reciprocitetit.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës, Jonuz Musliu, ka thënë se vendimi i së shtunës i përfaqësuesve shqiptarë, ka si bazë reciprocitetin me të drejtat e serbëve që jetojnë në Kosovë.

"Evropa nuk mund të ketë dy standarde, ndryshe për serbët në Kosovë e ndryshe për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Mendoj se është koha, momenti, andaj edhe sot është marrë vendim, që të themelohet ky Asociacion, i cili do t'i ketë të gjitha kompetencat e zgjidhjes së problemit politik, ekonomik, social e kulturor në Luginë të Preshevës", ka theksuar Musliu.

Pas vendimit të këshilltarëve komunalë shqiptarë nga Presheva, Bujanoci e Medvegja për themelimin e Asociacionit, sfida kryesore mbetet zbatimi dhe funksionalizimi i këtij trupi. Këtë e pranon edhe vetë Musliu, si një prej nismëtarëve kryesor të këtij vendimi.

"Ne e dimë që është vështirë të implementohet, por kur Serbia kërkon zgjidhjen e problemit të serbëve në Kosovë, pse atëherë edhe Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, natyrisht në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, të mos kërkojnë të njëjtën gjë, dhe mendoj që me presionin e tyre, do të zbatohet", ka thënë Musliu.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Shqiptare të Luginës së Preshevës po kundërshtohet nga Qeveria në Beograd.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur veprim të papërgjegjshëm politik dhe të papranueshëm. Ndërkaq, zëvendëskryeministri Ivica Daçiq, me tone të ashpra i ka porositur këshilltarët komunalë shqiptarë “të mos luajnë me zjarr”.

Përderisa e kanë pritur se nuk do ta kenë mbështetjen nga Qeveria në Beograd, shqiptarët e Luginës së Preshevës, sipas Jonuz Musliut, presin që të kenë mbështetjen e Prishtinës dhe Tiranës.

"Natyrisht, që ne kemi biseduar edhe më herët (me Prishtinën dhe Tiranën) dhe tani është edhe qëndrimi i tyre, kështu gjatë takimit të fundit që kemi pasur me kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës në Luginë, ka qenë kërkesa që të veprohet në mënyrë reciproke me serbët e Kosovës", ka deklaruar Musliu.

Sipas deklaratës së miratuar, Organet e Asociacionit do të themelohen mbi bazën e statutit që do të hartohet nga një grup punues dhe miratohet nga Kuvendi.

Në rrethana të caktuara kombëtare e ndërkombëtare, nëse vjen deri te ndryshimi i statutit të Asociacionit të Komunave Serbë ne Kosovë, sipas organizatorëve, atëherë do të ndryshojë edhe statuti i Asociacionit të Komunave Shqiptare në Luginë të Preshevës.

XS
SM
MD
LG