Ndërlidhjet

Leipzig: Rruga me migrantë deri në destinacionin e fundit


Kampi i refugjatëve në Leipzig
Kampi i refugjatëve në Leipzig

Në vend të ngjarjeve sportive, në një sallë të madhe të sportit, në breg të një liqeni të vogël në pjesën lindore të Gjermanisë, në qytezën Leipzig, ky objekt tashmë është shndërruar në shtëpi të përkohshme për më shumë se 400 refugjatë.

Kryesisht, aty janë vendosur familje apo meshkuj të rinj, të cilët kanë ikur nga Lindja e afërt. Njëri prej tyre është edhe Qamar, i cili në Gjermani ka arritur nga Pakistani.

“Jam shumë i lumtur që më në fund jam këtu. E dua shumë këtë vend dhe njerëzit që na rrethojnë. Kam udhëtuar tre muaj nga Pakistani deri në Gjermani”, e fillon rrëfimin e tij Qamar.

Ky 23 vjeçar e bën të dukshëm gëzimin e tij që ka arritur në Gjermani, duke thënë se ka pasur fat, sepse ka kaluar nëpër Greqi, Maqedoni, Serbi dhe Hungari pa probleme të mëdha.

“Po e pres vendimin e autoriteteve gjermane, që përfundimisht t’i marrë letrat dhe që të mund t’i vazhdojë studimet. Deri më tash kam studiuar ekonominë dhe këtë dëshiroj ta vazhdojë edhe mëtej këtu”, tha Qamar.

Në sallë, përveç shtretërve për gjumë, për refugjatët janë të siguruara edhe nyjet sanitare dhe kujdesi mjekësor. Me ndihmën e organizatave joqeveritare, refugjatët marrin ushqim tre herë në ditë.

Sonja Borgiato nga Këshilli për Refugjatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se hapat e parë gjithmonë janë të njëjtë: që tu sigurohet ushqimi shfrytëzuesve të qendrës, kujdesi mjekësor dhe pushimi.

“Ata që arrijnë deri te shteti federal i Saksonisë, kanë përvoja dhe prejardhje të ndryshme. Shumë prej tyre janë të lodhur dhe kanë vështirësi me shëndetin. Shpeshherë ata janë të painformuar. Ne përpiqemi që t’i ndihmojmë, duke iu siguruar akomodim, paketa higjienike, kujdes mjekësor dhe ushqim. Një sfidë e madhe është t’i ndihmosh fëmijët".

"Fatkeqësisht, për shkak të vështirësive rreth regjistrimit, ata shpeshherë nuk arrijnë me kohë që të vijojnë shkollimin. Ata që janë në sallën e sportit, nuk qëndrojnë gjatë këtu, por presin vendimin e autoriteteve gjermane se ku do të vendosen derisa të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil. Në Leipzig i kemi tri qendra të pranimit, në të cilat janë vendosur gjithsej 2 mijë e 600 njerëz”, ka sqaruar Burgiato.

Megjithatë, Jasser Elscheich, përkthyes, i cili në situatë të ngjashme ka qenë para 10 vjetësh, thotë se më e rëndësishmja është që refugjatëve, të paktën, t’iu ofrohet, siç thotë ai, një fjalë e ngrohtë. Ai ndihmon në komunikimin ndërmjet refugjatëve dhe institucioneve.

“Refugjatët, kryesisht, dëshirojnë të dinë se çfarë i pret nesër, sa do të qëndrojnë gjatë këtu dhe kur do ta gjejnë shtëpinë e tyre të re. Ata vijnë me pritje të ndryshme, me informata të gabuara dhe përderisa qëndrojnë këtu, janë shumë të padurueshëm".

"Ndodhë që të njëjtit njerëz, në afat prej disa orësh, tre apo katër herë vijnë te ne dhe shtrojnë pyetje të njëjta: kur do të marrin akomodim afatgjatë ose kur do t’u pranohet azili. Shumë prej tyre ankohen për dhimbje koke dhe kjo zakonisht vjen prej stresit dhe frikës. Atëherë e di se u nevojitet ndonjë fjalë e ngrohtë njerëzore dhe se kanë nevojë të dëgjojnë se gjithçka do të jetë në rregull”, tha Elscheich.

Në anën tjetër, jo vetëm organizatat joqeveritare, por edhe mjaft qytetarë u sjellin veshmbathje dhe ndihma refugjatëve. Në klasifikimin dhe shpërndarjen e ndihmave po ndihmojnë edhe anëtarët e organizatës “Johanite”.

Kristof Grebel, nga kjo organizatë, thotë se janë mjaft të vullnetshëm për të ndihmuar.

“Mundësia e dhurimit të veshmbathjeve ofron rast për qytetarët e Leipzigut që ata të kyçen në përkujdesjen për refugjatët. Në këtë mënyrë, ata e ndjejnë veten se janë pjesë e zgjidhjes. Shumë njerëz lajmërohen vet dhe shprehin dëshirën të bëhen vullnetarë dhe për fat, për momentin kemi më shumë të tillë që dëshirojnë të ndihmojnë se sa ata që kanë nevojë për këtë ndihmë. Javë më parë, na ka vizituar një gjyshe, e cila kishte sjellë veshje. Na kishte kërkuar për tri orë dhe nuk kishte hequr dorë".

"Ajo na rrëfeu se para 35 vjetësh edhe ajo vet kishte qenë refugjate dhe se dëshironte të ndihmonte. Ky rrëfim tregon se sa është domethënëse ta pranojmë ndihmën nga të gjithë. Ne nuk kemi kohë të mendojmë rreth asaj se a duhet t’i mbyllim kufijtë apo jo, se a duhet hapur kampe në vendet tjera apo jo. Ne duhet ta bëjmë ketë dhe ta kanalizojmë ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë për të”, tha Grebel.

Sipas të dhënave të autoriteteve të Saksonisë, në këtë shtet federal gjerman, deri në fund të vitit do të vendosen më shumë se 5 mijë kërkues të azilit.

Të ardhurit e tjerë, vendimin e autoriteteve të Gjermanisë për azil, do ta presin në ndonjërin nga 15 shtetet tjera federale të këtij vendi.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG