Ndërlidhjet

Bllokimi i punimeve në Kuvend, lë AKP-në pa bord


Ilustrim
Ilustrim

Agjencia Kosovare e Privatizimit, që nga muaji shkurt i këtij viti është pa bord. Në mungesë të këtij bordi, shumë çështje të cilat lidhen me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore nuk mund të procedohen.

Sipas Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Kuvendi i Kosovës emëron anëtarët në bordin e AKP-së. Por, ende Kuvendi i Kosovës nuk e ka futur në rend dite këtë pikë.

Tani më bllokimin e punimeve në Kuvendin e Kosovës po vlerësohet se mungesa e bordit do të vazhdojë edhe për një kohë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë e ka quajtur mjaft shqetësues moskompletimin e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Ky agjencion ka një rëndësi substanciale në proceset zhvillimore në Kosovë, qoftë në dimensionin intern qoftë në dimensionin ekstern. Në aspektin intern shumë ndërmarrje kanë probleme të shumta. Ato që kanë qenë pjesë e procesit të privatizimit dhe të mungesës së kompletimit të bordit kanë mbetur shumë kontrata të pa nënshkruara dhe shumë probleme të pa zgjidhura”, ka shtuar Gërxhaliu.

Mungesa e emërimit të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka shtuar Gërxhaliu, ka dërguar një mesazh jo të mirë tek investitorët e huaj. Në mungesë të këtij bordi ka theksuar Gërxhaliu, Kosova nuk mund të jetë atraktive për investitorët.

“Dëmet janë të shumëfishta, por siç duket në mungesë të përgjegjësisë individuale dhe institucionale, në Kosovë ndodhin eksperimente të tilla, eksperimente të cila po ngufatin procesin e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, ka thënë Gërxhaiu.

Zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kanë treguar se nuk ka asnjë zhvillim që do të mund të çonte në krijimin e bordit të AKP-së.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kompetente janë njoftuar me kohë për proceset që mbesin peng si pasojë e mungesës së bordit të drejtorëve.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit, që nga muaji shkurt i këtij viti është pa bord të drejtorëve. Ne i kemi njoftuar institucionet kompetente, Kuvendin e Kosovës për mungesën e bordit të drejtorëve, por agjencia nuk ka ndonjë kompetencë në inicimin e procedurave apo në emërimin e anëtarëve të bordit”, ka theksuar Kaloshi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kishte deklaruar, se gjatë muajit prill do të kompletohet bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Më pas, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, kishin theksuar se bordi i AKP-së do të kompletohet në fillim të muajit korrik, por që nuk ishte bërë.

Moskompletimin e bordit të AKP-së, zyrtarë të qeverisë e kishin arsyetuar me agjendën e ngjeshur të qeverisë në fushat tjera.

Disa nga çështjet të cilat kanë mbetur pezull për shkak të mosemërimit të bordit të drejtorëve të AKP-së janë shpallja e valëve të reja të privatizimit, shpërndarja e mjeteve nga pjesa e 20 për qindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore dhe shumë vendime tjera të përcaktuara me ligj, që janë kompetencë e bordit.

Ndryshe, janë bërë më tepër se një dekadë që kur ka filluar raundi i parë i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Nga rreth 520 ndërmarrje shoqërore sa figurojnë të jenë në pronësi shoqërore, Agjencia Kosovare e Privatizimit, deri më tani ka arritur të privatizojë shumicën prej tyre dhe është në proces të përmbylljes së likuidimit.

Nga këto privatizime, deri më tani janë grumbulluar në fondet e mirëbesimit rreth 600 milionë euro.

XS
SM
MD
LG