Ndërlidhjet

Mediat ruse e “tjerrin” ofensivën në Siri


Rusi...
Rusi...

Rusia mund të ketë befasuar botën kur ka nisur sulmet ajrore në Siri, por mediat në Moskë kanë qenë të përgatitura.

Pas rënies së bombave të para, mbrëmjen e 30 shtatorit, personaliteti i njohur televiziv, Vladimir Solovyov, ka mbajtur një program special në Kanalin e Parë shtetëor, në lidhje me intervenimin e forcave ruse.

“Fuqia e vetme e huaj në Siri që siguron mbështetje në përputhje me ligjin, është Federata Ruse”, ka thënë Solovyov në hapje të programit të tij Veçer (Mbrëmja), duke dënuar padyshim koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Siri.

Për 18 muaj, televizioni i kontrolluar nga Kremlini është fokusuar në të ushqyerit e propagandës ruse për konfliktin në Ukrainë dhe në tensionet e presidentit Vladimir Putin me Perëndimin.

Por, para fjalimit të Putinit në Kombet e Bashkuara, më 28 shtator, dhe para fillimit të sulmeve ajrore, ka pasur një ndryshim të madh të tregimit. Ky ndryshim nuk ka qenë askund më i dukshëm sesa në programet e Solovyovit: Ukraina është përmendur më rrallë dhe kur është përmendur, është cilësuar më shumë si një shaka e vjetër.

Burimi kryesor i fërkimit në Siri, midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, është fati i presidentit sirian, Bashar al-Assad, për të cilin Uashingtoni thotë se “hedh bomba fuçi mbi fëmijët e pafajshëm” dhe se duhet të largohet nga pushteti me një “tranzicion të menaxhuar”.

Moska thotë se Qeveria e Assadit është çelësi për luftën kundër të ashtuqujaturit Shtet Islamik. Këtë qëndrim ka theksuar edhe Yevgeny Satanovsky, analist për Lindjen e Mesme, i cili është shfaqur si panelist në emisionin Mbrëmja të Vladimir Solovyovit.

“Rusia është duke koordinuar veprimet e saj me njerëzit që luftojnë terrorizmin, ndërsa pjesa më e madhe e koalicionit anti-terrorizëm, që udhëheq SHBA-ja, sot financon dhe organizon luftën në Siri, duke mbështetur terroristët”, ka thënë Satanovsky.

“Si mund t’i kuptojmë amerikanët? Kam frikë se nuk mundemi”, ka thënë ai.

“Por, a duhet t’i kuptojmë ata”, ka pyetur Solovyov.

Sulmet ajrore kanë pasuar votimin në Parlamentin e Rusisë, i cili i ka dhënë leje Putinit të përdorë ushtrinë në Siri.

Por, edhe në Rusi lajmet kanë ardhur nga mediat amerikane dhe ato të Lindjes së Mesme, pasi mediat e brendshme kanë qenë më të ngadalshme në kapjen e tyre. Kjo ka qenë një pikë frustrimi për vëzhguesit si Filipp Kireyev, bloger me seli në Moskë.

“Reuters dhe CNN shkruajnë me shkronja të mëdha për sulmet ajrore të Rusisë kundër (të ashtuquajturit) Shtet Islamik, por mediat tona janë të heshtura. A do të mësojmë gjithçka nga amerikanët”, ka shkruar Kireyev në Twitter.

Por, shpejt, gazetat dhe ueb-faqet ruse kanë shpërthyer.

Gazeta e përditshme Izvestia, e cila mbështet Kremlinin, ka publikuar një kolumne në ueb-faqen e saj, duke lavdëruar ndërhyrjen e Rusisë në Lindjen e Mesme dhe duke fajësuar Perëndimin për kaosin atje.

“Siria sheh me shpresë kah qielli: Avionët rusë godasin caqet terroriste” – ka qenë tituli i tabloidit Komsomolskaya Pravda.

Ueb-faqja sensacionale ruse LifeNews është kapur, ndërkaq, pas komenteve të kandidatit për president të SHBA-së, Donald Trump, i cili ka thënë se anohet kah grupi, i cili thotë se “nëse Rusia do që të shkojë dhe të luftojë Shtetin Islamik, ju duhet t’i lejoni ata”.

Vetëm një ditë më vonë, disa media ruse kanë minimizuar sulmet në Siri, duke sugjeruar ndoshta se përfshirja ushtarake e Kremlinit në Lindjen e Mesme është vetëm një ditë pune për Putinin.

“Rusia mund të vendosë taksa për njerëzit që përgatisin shish-qebapa në natyrë”, ka qenë titulli kryesor në ueb-faqen e gazetës Izvestia më 1 tetor. (v.tela)

XS
SM
MD
LG