Ndërlidhjet

Regjimi i vizave bllokon trajnimet jashtë vendit


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Mungesa e liberalizimit të vizave dhe vështirësitë për tu pajisur me viza Shengen ka reduktuar mundësinë e aftësimit të mëtejmë të punëtorëve në kompanitë e Kosovës, thonë përfaqësues që merren me interesat e komunitetit të biznesit.

Ata tregojnë se kanë pasur shumë oferta të kompanive partnere në vendet e Bashkimit Evropian për të dërguar stafin në ato kompani për tu trajnuar në fusha të caktuara, por që këto trajnime shumë herë kanë mbetur të pa realizuara, për shkak se punëtorët nuk kanë arritur të sigurojnë vizat Shengen.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se mosliberalizimi i vizave ka dëmtuar bizneset në Kosovë në fusha të ndryshme e në veçanti edhe në profesionalizmin e punëtorëve.

“Nëse ndonjë biznes vendor tenton ta dërgojë stafin e vet në trajnim nëpër vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian ku kanë partneritet me kompanitë vendore është më e vështirë një gjë e tillë dhe kjo e demoralizon vet biznesin apo pronarët. Ka raste kur ata kanë hequr dorë nga një trajnim i tillë dhe ka raste kur edhe ka humbur krejt investimi”, ka theksuar Shahini

Edhe pronarë të bizneseve në Kosovë, kishin theksuar se pamundësia për të qarkulluar pa viza drejtë vendeve të Bashkimit Evropian, ka ndikuar në mosnjohjen për së afërmi me partnerët e mundshëm që mund të kenë marrëdhënie tregtare.

Kosova ka mbetur vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk mund të lëvizin pa viza.

Bashkimi Evropian ka hequr vizat për qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipërisë dhe Bosnjës u janë hequr vizat një vit më pas, në dhjetor të vitit 2010.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, vlerëson se arsyeja se pse ekziston sot Bashkimi Evropian është pikërisht që të promovon vlerat e lëvizjes së lirë.

Nisur nga kjo, Zeka shton se edhe Kosova nuk duhet të lihet anash nga këto vlera.

“Afaristëve kosovarë do të duhej tu jepej një prioritet pak më i madh pasi që kanë një arsyeshmëri që i bën më legjitim aplikimin e tyre për një vizë të caktuar, dhe pse në kushte normale nuk do të duhej të mbeteshim vendi i vetëm në Ballkan i cili i nënshtrohet regjimit të vizave”, ka thënë Zeka.

Përfaqësuesit të cilët mbrojnë interesat e bizneseve në Kosovë, kërkojnë nga ekzekutivi që të bëhen marrëveshje me shtetet, për krijimin e lehtësive në marrjen e vizave për bizneset kosovare.

“Ambasadat e ndryshme që janë në Kosovë duhet të jenë më liberale në dhënien e vizave për qytetarët, e sidomos për bizneset që tentojnë të marrin treg apo të japin produkte të veta në tregjet e Bashkimit Evropian".

"Bashkimi Evropian ka dhënë preferencat tregtare, por që nuk kanë dhënë vizat për bizneset, pra kjo e bënë më të vështirë edhe qarkullimin e mallrave”, ka theksuar Agim Shahini.

Problemet me sundimin e shtetit ligjor, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë çështje që merren parasysh për vendet që pretendojnë procesin e liberalizimit, apo atë të integrimit në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë deklaruar tanimë se qytetarët e Kosovës vitin e ardhshëm do mund të lëvizin lirshëm, pa viza, në shtetet e zonës Shengen.

XS
SM
MD
LG