Ndërlidhjet

OKB: Sulmi kundër spitalit, mund të jetë krim lufte


Zjarri nga sulmet në spitalin që udhëhiqej nga Mjekët pa Kufij, në Kunduz të Afganistanit.
Zjarri nga sulmet në spitalin që udhëhiqej nga Mjekët pa Kufij, në Kunduz të Afganistanit.

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se Pentagoni i ka filluar “hetimet e plota” për sulmin ajror kundër një spitali në Kunduz, nga i cili u vranë së paku 19 vetë dhe u plagosën rëndë afro 40 të tjerë.

Ky spital udhëhiqej nga organizata Mjekët pa Kufij, në qytetin Kunduz, në pjesën veriore të Afganistanit.

Obama ka shprehur “ngushëllime të thella” dhe ka theksuar se pret një “analizë të plotë të fakteve” dhe pastaj do ta bëjë vlerësimin përfundimtar.

Kombet e Bashkuara e kanë dënuar fuqishëm sulmin ajror në Kunduz të Afganistanit.

Shefi për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Zeid Raad Al Hussein, ka thënë se “nëse përcaktohet në gjykatë se ishte i qëllimshëm, atëherë një sulm ajror kundër spitalit, mund të jetë krim lufte”.

Ai ka vlerësuar se “kjo ngjarje është plotësisht tragjike, e pafalshme dhe me gjasë kriminale”.

Organizata Mjekët pa Kufij, që e ka udhëhequr këtë spital, ka thënë se ai është shkatërruar pjesërisht, pasi është qëlluar nga një sulm ajror, derisa po vazhdojnë luftimet ndërmjet militantëve talibanë dhe forcave qeveritare të Afganistanit, që mbështeten nga NATO-ja, për marrjen e kontrollit në qytetin Kunduz.

Ne jemi të shokuar nga ky sulm, vrasja e personelit tonë dhe e pacientëve dhe nga dëmi i rëndë që i është shkaktuar kujdesit shëndetësor në Kunduz”, ka thënë organizata Mjekët pa Kufij, dhe ka shtuar se më 29 shtator ua kishte dhënë GPS koordinatat koalicionit të forcave ndërkombëtare, ushtrisë së Afganistanit dhe zyrtarëve civilë.

Ne tash e dimë se ishte një sulm ajror, që shumë qartas i ka shenjat se është kryer nga forcat e koalicionit ndërkombëtar në Afganistan. Ka shumë indikacione për këtë konstatim".

"Ajo që ka ndodhur është se aeroplani kishte arritur dhe në disa mënyra, kishte fluturuar katër herë mbi spital dhe secilën herë në mënyrë shumë precize e ka goditur ndërtesën kryesore të spitalit. Kjo ka çuar në pasoja të tmerrshme që po i shohim”, ka theksuar drejtori i operacioneve të Mjekëve pa Kufij, Bart Janssens.

Ai ka shtuar se ende nuk janë kontaktuar nga koalicioni ndërkombëtar.

Ne ende nuk kemi pasur ndonjë komunikim nga koalicioni ndërkombëtar, e as nga qeveria afgane drejtpërsëdrejti te ne. Prandaj, për këtë arsye ne, tash kërkojmë një shpjegim shumë të shpejtë dhe ne dëshirojmë fillimin e hetimit të pavarur”, është shprehur Bart Janssens.

Nga ana tjetër, NATO-ja ka thënë se “forcat e Shteteve të Bashkuara e kanë ndërmarrë një sulm ajror në qytetin e Kunduzit, në orën 2:15 në mëngjes të shtunën, kundër individëve që i ishin kërcënuar forcës”, dhe ka shtuar se “sulmi mund të ketë rezultuar me dëm anësor të kapacitetit të afërt mjekësor dhe ky incident është nën hetime”.

Por, udhëheqësi i organizatës Mjekët pa Kufij, Bart Janssens, ka deklaruar se nuk pranohet shpjegimi për “dëm anësor”.

Spitali është atje tash e katër vjet. Është spital i madh. Kompleksi i tij është më i madh se një fushë futbolli. Prandaj, ne me të vërtetë nuk kuptojmë se përse spitali është bombarduar dhe ne përfundimisht nuk e pranojmë shpjegimin për dëm anësor, siç kemi dëgjuar në reagimin e parë”, i ka thënë Bart Janssens agjencisë Reuters.

Zyra e presidentit të Afganistanit, Ashraf Ghani, nëpërmjet një kumtese ka thënë se komandanti i misionit të NATO-s ka kërkuar falje tek ai për shkak të bombardimit të spitalit. Megjithatë, aleanca ka shtuar se nuk ka njohuri për këtë kërkim-falje lidhur me sulm.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, Sediq Sediqi, ka thënë se 10 e deri në 15 “terroristë” ishin fshehur në spital në kohën e sulmit.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, nëpërmjet një kumtese, ka theksuar se nuk ka pasur luftëtarë talibanë në spital në kohën e sulmit. Ai e ka fajësuar Shërbimin e Inteligjencës së Afganistanit për keq-udhëzimin e sulmit ajror, që qëllimisht të goditet spitali.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kabul ka shprehur ngushëllime për viktimat e sulmit ajror dhe për ata “që vuajnë nga dhuna në Kunduz”.

Mjekët pa Kufij kanë thënë se në kohën e sulmit në spital ishin 105 pacientë dhe kujdestarët e tyre, dhe më tepër se 80 anëtarë të personelit ndërkombëtar dhe lokal.

Kjo organizatë humanitare mjekësore ka bërë të ditur se i ka trajtuar 394 vetë të plagosur në luftime, prej se talibanët e sulmuan qytetin Kunduz, më 28 shtator.

Klinika e Mjekëve pa Kufij në Kunduz përbëhet nga disa ndërtesa dhe është e vendosur në pjesën lindore të qytetit, jo shumë larg nga zyra lokale e Shërbimit të inteligjencës së Afganistanit.

Forcat qeveritare afgane, më 1 tetor, në masë të madhe, e kanë rimarrë kontrollin në këtë qytet strategjik me 300 mijë banorë, por luftimet sporadike vazhdojnë, derisa ushtarët qeveritarë afganë i ndjekin luftëtarët e mbetur talibanë.

Gjatë luftimit, ushtria e Shteteve të Bashkuara i ka ndërmarrë disa sulme ajrore në mbështetje të forcave qeveritare afgane.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG