Ndërlidhjet

Masa të larta sigurie për ndeshjen Shqipëri - Serbi


Pamje nga ndeshja Serbi - Shqipëri në Beograd
Pamje nga ndeshja Serbi - Shqipëri në Beograd

Elbasani është bërë gati për ndeshjen Shqipëri - Serbi.

“Elbasan Arena” do të jetë stadiumi ku do të përballen dy skuadrat e grupit I, për eliminatoret e Euro 2016.

Masat e sigurisë janë tepër të larta. Do të jenë 1,500 forca policie që do të kenë nën kontroll situatën në Elbasan më 8 tetor.

Përveç rrethimit të stadiumit dhe monitorimit të rrugëve e kryqëzimeve që shpiejnë në stadium, policia ka dhënë urdhër që asnjë banesë apo apartament që është pranë stadiumit, të mos jepej me qira gjatë këtyre javëve, për asnjë shtetas të huaj.

Gjatë ndeshjes, askush që nuk është banor i familjeve që banojnë aty, nuk do të ketë të drejtë të qëndrojë nëpër ballkonet apo dritaret e banesave dhe apartamenteve që kanë pamje nga stadiumi.

Ndërkohë përveç Elbasanit, masat e sigurisë janë shtrirë edhe në Tiranë.

Autostrada që lidh aeroportin ndërkombëtar në Rinas dhe Tiranën, do të boshatiset kur të mbërrijë ekipi serb në mbrëmje dhe nën vrojtim të rreptë do të jenë edhe rrugët dytësore.

Pavarësisht anës emocionale dhe ngarkesës që ka ndeshja, futbollistët e kombëtares shqiptare, krerët e Federatës Shqiptare, trajnieri De Biazi e madje edhe vetë kryeministri shqiptar Edi Rama, kanë bërë thirrje për qetësi.

Me anë të një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, kryeministri Rama u ka bërë thirrje tifozëve që të mos krijojnë incidente dhe ta shohin këtë ndeshje si një hap të rëndësishëm për kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Evropian që zhvillohet në Francë në vitin 2016.

Ambasadori i Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariq, ka deklaruar se Serbia "e njeh mikpritjen shqiptare, ndaj ekipi serb nuk ka përse të trembet.”

Ai tha se në stadiumin e Elbasanit do të jenë dy ministra të kabinetit qeveritar serb.

Spektator në ndeshje do të jetë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili mendohet se do të ulet në krah të kryeministrit shqiptar.

Ndeshja qe luhet më 8 tetor, është ndeshja e kthimit.

Ndeshja e parë mes Serbisë dhe Shqipërisë u luajt në 14 tetor të vitit të kaluar në stadiumin “Partizani” të Beogradit.

Ajo u ndërpre, pasi një fluturake me simbole kombëtare shqiptare hyri mbi stadium, dhe kaq mjaftoi që forcat e sigurisë dhe tifozeria të hynin në fushë e të ushtronin dhunë ndaj lojtarëve shqiptarë.

Arbitrazhi i UEFA-s i dha ekipit shqiptar tre pikët e ndeshjes në tavolinë.

* Video nga ndeshja më 14 tetor 2014...

XS
SM
MD
LG