Ndërlidhjet

Kosova, pa barna në rezervat shtetërore


Ilustrim
Ilustrim

Republika e Kosovës, që nga viti 2013 ka filluar me grumbullimin e rezervave shtetërore të mallrave, si produkte esenciale ushqimore, agro-ushqimore dhe produkte të derivateve të naftës, thonë zyrtarë qeveritarë.

Ndonëse në këtë plan strategjik parashihet edhe lista me barnat esenciale, një gjë e tillë mungon.

Shaban Halimi, drejtor i Departamentit të rezervave shtetërore të mallrave, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, jep hollësi:

“Për këtë vit planifikohet që të bëjmë programin 2016- 2018, ku do ta fusim listën e barnave esenciale dhe materialit shpenzues, nëse kemi dëmtime. Kjo, sipas Ligjit për rezerva shtetërore, pasi ligji, përpos produkteve tjera, parasheh edhe barnat dhe po planifikojmë që vitin e ardhshëm të kemi edhe barna rezervë”.

Bekim Fusha, nga departamenti i Farmacisë në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se ende nuk është përpiluar lista e nevojshme që parashihet në planin strategjik për rezerva shtetërore.

“Sa i përket barnave për nevojat e rezervave shtetërore, ështëthemeluar grupi punues, i cili udhëhiqet prej disa ministrive. Hapat që janë ndërmarrë lidhur me këtë përpilim të listës, janë kërkuar mendime të shumta nga specialistë, si ata të emergjencës për përmbylljen e listës. Grupi është duke punuar dhe presim që kjo listë të finalizohet”, thotë Fusha.

Ndërkaq udhëheqësi i Klinikës emergjente në Qendrën Klinike Universitare, Basri Lenjani, pohon se kanë hartuar pakon emergjente dhe komisioni mjekësor ka arritur t’i përcaktojë objektivat e barnave dhe mjeteve tjera përcjellëse që do të shërbejnë në menaxhimin e situatave emergjente, derisa shton se kjo listë do të dorëzohet së shpejti.

“Është përpiluar në përgjithësi drafti kryesor i pakos emergjente, ku përfshihen materiali shpenzues, barnat për 10 mijë banorë për kohëzgjatje prej 3 muajsh. Kostoja financiare është e shtrenjtë dhe arrin në 300 mijë euro”.

“Tani po presim edhe rekomandimet e drejtorëve të klinikave brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe e kemi menduar që para shtatorit ky dokument, në dy javët e ardhshme, do të dorëzohet në Qeveri për miratim”, bën të ditur Lenjani.

Sidoqoftë, ekspertë të kësaj fushe, konsiderojnë se sasia e rezervave shtetërore në përgjithësi, është shumë e vogël.

Rezervat shtetërore të mallrave shfrytëzohen për nevoja të furnizimit në raste lufte, apo rrezikut të drejtpërdrejtë nga lufta dhe në raste të fatkeqësive natyrore të përmasave të mëdha.

XS
SM
MD
LG