Ndërlidhjet

Kosova hyn në agjendën e UNESCO-s


Pamje nga Prizreni
Pamje nga Prizreni

Bordi ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka vendosur ta përfshijë propozimin e rekomandimit për pranimin e Kosovës në anëtarësinë e kësaj organizate.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Petrit Selimi, i cili ka theksuar se tashmë kanë mbetur rreth 10 ditë deri te votimi i rekomandimit për pranimin e Kosovës në UNESCO nga Bordi Ekzekutiv i kësaj organizate.

“Sot Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s e ka aprovuar agjendën, e cila e ka përfshirë edhe draft-rezolutën për rekomandimin pozitiv për pranimin e Kosovës si anëtare më të re të UNESCO-s".

"Ky është një hap shumë i rëndësishëm, sepse janë tejkaluar çfarëdo kurthe procedurale që kanë mundur të bëhen. Tash e kemi para vetes një javë apo 10 ditë, derisa të votohet për rezolutën”, tha zëvendësministri Selimi.

Bordi ekzekutiv i UNESCO-s ka 58 anëtarë, prej të cilëve 32 e kanë njohur shtetin e Kosovës, ndërkohë që dhjetëra prej tyre edhe më parë e kanë mbështetur kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Sipas, zëvendësministrit Selimi, votimi në Bordin ekzekutiv të UNESCO-s për rekomandimin pozitiv për Kosovën, pritet të ndodhë rreth datës 21 tetor.

Në propozim-vendim thuhet që Bordi ekzekutiv sjellë rekomandimet që Konferenca e përgjithshme ta pranojë Kosovën në anëtarësinë e UNESCO-s, duke pasur parasysh që “Kosova e pranon kushtetutën e organizatës dhe është e gatshme t’i përmbushë obligimet që dalin nga anëtarësia, si dhe të jetë pjesëmarrëse në shpenzime”.

Zëvendësministri Selimi ka shtuar se konsensusi që është arritur sot në aprovimin e agjendës në Bordin ekzekutiv të UNESCO-s, i jep Kosovës argument të fortë për të shpresuar se të gjitha shtetet do të reflektojnë për të votuar në dobi të Kosovës, fillimisht në Bordin ekzekutiv e më pas edhe në Konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, që pritet të mbahet në nëntor.

“Gjithsesi, mungesa e antagonizmave sot dhe pëlqimi i gjerë që ka arritur agjenda në pikën e Kosovës është një ogur i mirë për zhvillimet e mëtutjeshme".

"Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës nuk do të kishte aplikuar për anëtarësim në UNESCO, po të mos i kishte bërë kalkulimet që gjasat janë të mira për këtë. Kosova meriton të jetë anëtare e UNESCO-s, sepse ashtu zhvillojmë arsimin, kulturën dhe shkencën tonë dhe besoj se kjo kërkesë e Kosovës ka hasur në simpati globale”, tha zëvendësministri Selimi.

Vendimi në Bordin ekzekutiv të UNESCO-s sillet me shumicë votash, ndërkaq në qoftë se propozimi pranohet, atëherë vendimi përfundimtarë për pranimin e Kosovës në UNESCO, do të sillet në Konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, e cila mbahet nga 3 deri më 18 nëntor.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka pranuar se vendi i tij i ka gjasat e vogla për të ndaluar një vendim pozitiv për Kosovën në Bordin ekzekutiv të UNESCO-s, por sipas tij përpjekjet e Serbisë do të përqendrohen për Konferencën e përgjithshme të kësaj organizate.

“Porosia ime për ta është që ne jemi vend i vogël, por do të luftojmë për Konferencën e përgjithshme. Do të luftojmë me gjithë zemër, me fuqinë tonë dhe të drejtën, për të mbrojtur atë që i takon Serbisë, serbëve dhe Kishës serbe. Do ta mbrojmë të vërtetën. As turqit, me shekuj, nuk kanë arritur të na e rrëmbejnë. Pra, le të urdhërojnë”, ka theksuar Vuçiq.

Ai po ashtu ka theksuar se edhe në Konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, Serbia i ka gjasat e pakta, por, siç ka thënë ai, ajo do të luftojë deri në momentin e fundit.

Konferencën e përgjithshme të UNESCO-s e përbëjnë 195 vende anëtare dhe secili vend ka një votë, ndërkaq që për sjelljen e vendimit nevojiten dy të tretat e votave.

Kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO e ka paraqitur formalisht Shqipëria, të cilën kërkesë e kanë mbështetur 45 vende.

XS
SM
MD
LG