Ndërlidhjet

Sundimi i mangët i ligjit dikton nivelin e korrupsionit


Ilustrim
Ilustrim

Lufta ndaj korrupsionit në Kosovë vazhdon të jetë e dobët dhe pa rezultate konkrete, sidomos kur behet fjalë për rastet e dyshuara të korrupsionit, në nivel të lartë politik, thonë përfaqësuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe ata nga shoqërisë civile.

Ka shumë vjet që zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës, deklarojnë se lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë e pa kompromis, por gjerat në terren flasin ndryshe.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e llogaridhënies dhe transparencës në shumë institucione të Kosovës, ka bërë që perceptimi për korrupsionin në vend të jetë i lartë.

“Duhet të ketë aktakuza jo vetëm kundër zyrtarëve të thjeshtë, por të ketë aktakuza edhe kundër zyrtarëve të lartë. Me të vërtetë qytetari duhet të fillojë ta kuptojë se edhe gjyqësori po e bën punën e vet".

"Mendoj se nuk e ndjej vetën mirë në asnjë moment kur si drejtues i një institucioni për një periudhë më të gjatë se 9 vjet të thuhet vazhdimisht se do të behëet kjo ose ajo [punë] dhe rezultatet po mungojnë”, tha Preteni.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, i tha Radios Evropa e Lirë se në gjykatën të cilën ai drejton, të gjitha rastet të cilat kanë të bëjnë me dukurinë e korrupsionit, shqyrtohen dhe marrin verdiktin e duhur.

Zoti Ibrahimi theksoi se në Gjykatën Themelore nuk ka asnjë çështje penale që nuk i është caktuar shqyrtimi kryesor ose që nuk është duke u gjykuar.

“Kur flasim për dukurinë e korrupsionit, te ne përfshihen të gjitha lëndët prej mashtrimeve të vogla e deri te ato mashtrimet e mëdha. Prandaj, numri i lëndëve mund të jetë mbi 100, por në mesin e këtyre lëndëve ka shumë pak lëndë të asaj natyre që ka të bëjmë më persona që kanë pozita të larta [vendim-marrëse]”, tha Ibrahimi, duke shtuar se të gjitha institucionet e Kosovës duhet të angazhohen që të ngrejnë nivelin e sistemit të drejtësisë në kuptimin e kuadrove dhe përkrahjes.

Lorik Bajrami, nga Organizata për Demokraci dhe Anti-Korrupsion “Çohu“, tha për Radion Evropa e Lirë se një nga arsyet primare pse nuk ka rezultate ne luftën kundër korrupsionit, është fakti se sundimi i ligjit nuk ka qenë primar.

Ai thotë se politika ndikon në sistemin e drejtësisë për mosgjykimin e rasteve të larta të dyshuar për korrupsion.

“Krijimi i institucioneve funksionale të cilat kishin për ta respektuar ose konsoliduar sundimin e ligjit, nuk ka qenë prioritet. Prioriteti parësor që nga paslufta, e dini tani, ka qenë mbajtja e stabilitetit politik. Kjo ka qenë paradigma kryesore që i ka drejtuar të gjitha zhvillimet politike në Kosovë dhe së cilës i janë nënshtruar të gjitha aktivitetet tjera, e në këtë rast edhe sundimi i ligjit”, tha Bajrami.

Lidhur me punën e prokurorisë së Kosovës, rreth angazhimeve për të luftuar korrupsionin, prokurorja e shtetit, Laura Pula, në një prononcim të mëhershëm për Radion Evropa e Lirë, pati deklaruar se “lufta kundër korrupsionit sipas planit të veprimit është prioritet për të gjithë sistemin prokurorial”.

Korrupsioni në Kosovë konsiderohet si një nga sfidat me të mëdha me të cilat duhet të merren institucionet përkatëse.

Në vitin 2014, Kosova ka shënuar një përmirësim të lehtë dhe jo të efektshëm në indeksin e korrupsionit të botuar nga Transparency International, duke u radhitur bashkërisht me Shqipërinë në vendin e 110-të, në atë që njihet si “zonë e kuqe”.

XS
SM
MD
LG