Ndërlidhjet

Besimi: Dialogu politik duhet t'i jap mundësi interesave të vendit


Fatmir Besimi
Fatmir Besimi

"Vetë procesi i dialogut politik duhet të minimizojë interesat individuale apo ato grupore të cilat dëmtojnë interesat e përgjithshme të vendit", thotë në një intervistë për REL, Fatmir Besimi, zëvendëskryeministër i Maqedonisë për integrime evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Në prag të raportit të progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë, cilat janë pritjet e juaja nga Brukseli?

Fatmir Besimi: Në këtë raport ne presim atë që Republika e Maqedonisë ka arritur gjatë këtij viti në integrimet evropiane, duke pasur parasysh krizën politike me të cilën ballafaqohej Maqedonia si shtet brenda tërë vitit. Ajo që është me rëndësi është te theksohet se nga kjo krizë doli një marrëveshje politike e cila u jep një rrugë, përkatësisht një shans, integrimeve evropiane.

Implementimi i kësaj marrëveshjeje dhe implementimi i rekomandimeve për integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, janë dy shtyllat që do të reflektohen në këtë raport dhe presim që Maqedonia gjatë kësaj periudhe deri në publikimin e raportit të tregojë rezultate me qëllim që të ketë edhe një rekomandim të Komisionit të Evropës para Këshillit Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Duket se shpresëdhënëse për ju është marrëveshja politike e arritur nga katër partitë kryesore parlamentare, ndërkohë që jemi dëshmitarë se gjatë implementimit të kësaj marrëveshjeje krijohen shumë stërkëmbës duke shkelur afatet. Sa do të kenë këto, thënë kushtimisht, "hile" ndikim në raportin e progresit?

Fatmir Besimi: Kësaj radhe çdo njëri duhet ta ketë të qartë se nga Komisioni Evropian vlerësohet Republika e Maqedonisë, dhe atje të gjitha institucionet e vendit, qoftë ai qeverisës apo ligjdhënës, apo gjyqësori, pra çdonjëri ka dhe bartë përgjegjësinë e vet që t`i kontribuojë pasqyrës së Republikës së Maqedonisë për të avancuar në drejtim të integrimit në BE.

Prandaj, vetë procesi i dialogut politik duhet të japë shans dhe të minimizojë interesat individuale apo ato grupore të cilat dëmtojnë interesat e përgjithshme të vendit.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, çfarë porosie i dërgohet Brukselit me atë që deputetët e partive në pushtet u detyruan që brenda natës të tërheqin ligjin e propozuar në bazë të të cilit duhet ndalohet publikimi i përmbajtjes së bisedave të përgjuara? Me sa kuptoj, ju thoni se duhet të bëhet një ndarje mes ruajtjes së privatësisë dhe krimeve që pretendohet se kanë bërë zyrtarë të lartë të vendit, është kjo e mundur?

Fatmir Besimi: Sa i përket procesit lidhur me përgjimet, me rëndësi është të shikohen dy aspekte të procesit të njëjtë në të dyja anët. Njëra anë është që Prokurori Special, në bazë të ligjit ka mandat të themeluar enkas për të trajtuar materialet nga bisedat e përgjuara, dhe normalisht e ka për detyrë të adresojë në mënyrë profesionale, transparente dhe të pavarur, përgjegjësinë për keqpërdorime eventuale.

Ky është një interes i përgjithshëm të cilin Maqedonia si shtet me kredibilitet e ka për detyrë ta menaxhojë, përderisa në anën tjetër këtu kemi gjithashtu edhe segmentin tjetër që është pjesë e marrëveshjes politike. Pra, dy ligjet që kanë të bëjnë me materialet e përgjuara dhe ajo që ka të bëjë me denoncuesit e këtyre materialeve që të mbrohet ajo që është e drejtë kushtetuese fundamentale e njeriut, e garantuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, por edhe me standardet ndërkombëtare, siç është e drejta e privatësisë dhe integritetit personal.

Pra, që të dyja këto janë dy pjesë që përkatësisht paraqesin dy anë të së njëjtës medale, të cilat Republika e Maqedonisë duhet t’i menaxhojë me sukses dhe normalisht pasi bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme politike, kjo kërkon një harmonizim të mirëfilltë edhe të gjithë spektrit politik, veçanërisht për atë që del nga marrëveshja e dy qershorit, firmosur nga partitë më të mëdha politike dhe dialogu që është në vijim e sipër

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te Prokurori Special, dy çështje që janë shumë të ndjeshme, por dhe me interes të veçantë për shqiptarët e Maqedonisë; është çështja e "Mostrës" dhe rasti i zhvillimeve në Kumanovë më 9 maj. Sa mundet ky institucion të zbardhë të vërtetën lidhur me këto dy ngjarje?

Fatmir Besimi: Tanimë që është themeluar ky institucion dhe ka kompetenca të vazhdueshme, mbetet të shohim rolin dhe angazhimin e këtij institucioni në drejtim të këtyre dy çështjeve. Por, ajo që është me rëndësi për vendin është se do të sigurohet një qasje transparente, profesionale e paanshme, e cila në instancë të fundit do të nxjerrë në dritë të vërtetën në interes të së drejtës, që duhet të garantojë Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë për çdo qytetar të vendit.

Radio Evropa e Lirë: Dhe krejtësisht në fund, do të ndalesha tek çështja e kontestit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë. Kriza e krijuar politike, pastaj fakti se vendi do të përballet me zgjedhje të parakohshme, sikur ka lënë jashtë agjendës së angazhimeve të qeverisë çështjen e zgjidhjes së kontestit me fqinjin jugor për emrin. Çka po bëhet në këtë drejtim?

Fatmir Besimi: Kontesti i emrit vazhdon të mbetet një sfidë serioze në procesin e integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe Maqedonia si vend i interesuar në këtë rrugëtim për anëtarësimin e plotë në strukturat euroatlantike duhet të zgjidh këtë çështje të hapur.

Këtu është një realitet që duhet të kemi parasysh se për të zgjidhur këtë çështje të hapur nevojiten dy partnerë, përkatësisht nevojitet dhe angazhimi i fqinjit tonë jugor, Greqisë, me qëllim që të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.

Kuptohet se kjo nuk duhet të paraqes alibi për pjesën tjetër të detyrimeve që Maqedonia duhet t’i bëjë , sepse pavarësisht zgjidhjes së emrit, Maqedonia duhet të realizojë agjendën e reformave për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG