Ndërlidhjet

Maqedoni: Ende pa marrëveshje për Kodin Zgjedhor


Shkup
Shkup

Partitë politike në Maqedoni ende nuk kanë arritur marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor edhe pse një gjë e tillë duhej të ndodhte deri më 6 tetor, afat ky i vendosur nga përfaqësuesit ndërkombëtar, që më pas të vazhdohet me zbatimin e pikave tjera të marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Çështjet kontestuese kanë të bëjnë me pastrimin e listës së votuesve, modelin zgjedhor, rolin e KSHZ-së dhe votimin e diasporës.

Për të gjitha pikat, partitë kanë afruar qëndrimet, përveç për votimin e diasporës që edhe ka bllokuar tani disa ditë bisedimet politike. Njohësit e çështjeve politike thonë se pas debateve për votimin e diasporës qëndrojnë kalkulimet politike.

“Mosmarrëveshjet e partive politike për kodin zgjedhor, në esencë paraqesin luftën kryesore të partive politike në projektimin e rezultateve të ardhshme. Në kuadër të kësaj janë edhe zgjedhjet në diasporë".

"Votimi i diasporës është jo-legjitim dhe degradim i gjithë procesit zgjedhor, pasi fitohet deputetë me 200 deri 300 vota kundrejt atyre që për tu bërë deputetë duhet të fitojnë deri më 12 mijë vota. Këtu qëndron edhe problemi pasi VMRO-ja tenton të ruaj këtë formë të zgjedhjeve në diasporë pasi ajo ka tre ose më shumë deputetë garantuar nga votimi i tillë i diasporës“, thotë analisti Alajdin Demiri.

Opozita e udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, kërkon që vota e diasporës të barazohet me atë të qytetarëve në Maqedoni, apo që deputetët atje të zgjidhen me të paktën 80 për qind të votave, sa zgjidhet një deputet në Maqedoni.

Në rast të mosarritjes së këtij kompromisi, opozita kërkon që në këto zgjedhje të anulohet votimi i diasporës.

Pra, opozita është kundër asaj që deputetët e diasporës të zgjidhen me vetëm disa qindra vota ashtu siç kishte ndodhur në dy ciklet e fundit zgjedhore, kur të gjithë deputetët ishin fituar nga VMRO DPMNE-ja.

Qëndrimet e tilla kundërshtohen nga partia e kryeministrit, Nikolla Gruevski e cila me çdo kusht kërkon që diaspora të votojë pavarësisht daljes së tyre në votime.

Partitë shqiptare janë gjithashtu kundër votimit, por qëndrimet e tyre mbahen më tepër të heshtura.

Analisti Demiri thotë se fajin për atë që asnjë deputet shqiptar nuk është zgjedhore në diaspore, fajin e mbajnë partitë shqiptare.

“Ajo që është e çuditshme është se diaspora shqiptare nuk jep asnjë deputet që do të thotë se manipulimi është ekstrem i madh pasi dihet se numri i të shqiptarëve të migruar nga Maqedonia është shumë i madh se i maqedonasve. Në bisedat me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe aktivistë të tjerë më është thënë se shqiptarët janë dembelë dhe se nuk i zbatojnë kërkesat procedurale që duhet bërë".

"Por, vlerësoj se kjo nuk ka të bëjë aspak me realitetin, por është një përrallë e cila u nevojitet atyre që të akuzojnë shqiptarët se gjoja nuk dëshirojnë të votojnë“, thotë Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike dhe ish ambasador i Maqedonisë në Zvicër.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë pjesë e marrëveshjes politike dhe janë vendimtare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 24 prill të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG