Ndërlidhjet

U nënshkrua MSA-ja me Bashkimin Evropian


Pamje nga ceremonia e nënshkrimit
Pamje nga ceremonia e nënshkrimit

Kosova ka nënshkruar sot në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

Në rrjetin social Twitter, Bekim Çollaku, ministër për Integrime Evropiane në qeverinë e Kosovës, e ka vlerësuar marrëveshjen si moment historik.

Nënshkrimi i këtij dokumenti shënon edhe vendosjen e parë të marrëdhënieve kontraktuale midis Kosovës dhe BE-së.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.

Të hënën, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova shpreh gatishmërinë dhe zotësinë e saj që t'i dëshmojë Bashkimit Evropian se është një shtet partner, shumë serioz, për t'i bërë të gjitha reformat e nevojshme".

“Jam i bindur se përfitimet e ekonomisë së Kosovës janë të shumëllojshme nga kjo marrëveshje. Por, mendoj se edhe përfitimet e Bashkimit Evropian janë evidente, sepse do të ketë në gjirin e tij një vend, i cili ka specifika zhvillimore dhe i cili mund të jetë vlerë shtuese e këtij tregu”, ka thënë Mustafa.

Kosova dhe Komisioni Evropian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në korrik të vitit 2014.

Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Evropian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës si shtet nga pesë vende të BE-së.

Më vonë, megjithatë, është rënë dakord që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të mos ratifikohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar veç e veç, ashtu siç ka qenë praktika me vendet e tjera.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit vjen në kohën kur puna e Kuvendit të Kosovës është bllokuar për gati dy muaj nga partitë opozitare.

Këto të fundit i kanë vënë kusht kryeministrit Mustafa heqjen e nënshkrimeve nga marrëveshja me Serbinë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe nga marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Opozita ka përdorur metoda të ndryshme, përfshirë hedhjen e gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit, për të penguar zhvillimin e seancave.

Këto veprime janë kritikuar nga zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, ndërsa analistët në Prishtinë kanë thënë se do të kenë pasoja në procesin e integrimit evropian të vendit.

Sipas analistëve, e para që do të pësojë është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e cila pasi të nënshkruhet me BE-në, duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës. Pasoja, pastaj, do të ketë edhe në procesin e liberalizimit të vizave, thonë njohësit e integrimeve evropiane.

Negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit kanë nisur para dy vjetësh, vetëm pasi Kosova është angazhuar në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Serbia, si shpërblim, ka fituar negociatat për anëtarësim në BE. (v.t.)

XS
SM
MD
LG