Ndërlidhjet

Luftë fushatash për UNESCO


Prizren
Prizren

Në prag të fillimit të Konferencës së përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), autoritetet e Kosovës kanë thënë se do të vazhdojnë fushatën pozitive për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Por, në anën tjetër, autoritetet e Beogradit edhe më tej po zhvillojnë fushatë të intensifikuar kundër këtij anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në UNESCO.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë të shtunën se Kosova është përcaktuar që të bëjë një fushatë pozitive për pranimin e saj në UNESCO dhe për një gjë të tillë ai ka kërkuar përkrahjen e të gjitha vendeve të botës.

“Kërkoj përkrahjen e merituar nga të gjitha vendet për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Ne i kemi parasysh objektivat e UNESCO-s, që dijen e njerëzimit në vend që ta shfrytëzojmë për luftë dhe dhunë, duhet që ta shfrytëzojmë për paqe dhe mirëqenie. Ne jemi shtet i paqes dhe i mirëqenies dhe jemi shtet, i cili e meriton që ta ketë vendin në një organizatë të tillë”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Por, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka theksuar se Kosova nuk e meriton të jetë pjesë e UNESCO-s. Kjo, për arsyen se , sipas tij, Kosova nuk është shtet.

“Në kuptimin themelor të kësaj fjale, Kosova nuk ekziston dhe nuk ka kualifikim që të bëhet anëtare e UNESCO-s, për shkak të mënyrës se si janë sjellë autoritetet në Prishtinë ndaj trashëgimisë kulturore dhe fetare, si dhe ndaj trashëgimisë botërore të UNESCO-s që gjendet në territorin e Kosovës”, ka thënë Daçiq.

Autoritetet e larta serbe, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, por edhe qytetarë serbë, po zhvillojnë fushatë të intensifikuar kundër pranimit të Kosovës në UNESCO.

Në rrjetet sociale, ata po publikojnë video të objekteve fetare ortodokse serbe, të cilat janë dëmtuar gjatë trazirave të vitit 2004 në Kosovë, duke i quajtur “argumente” për mospranimin e Kosovës në UNESCO.

Megjithatë, autoritetet e Kosovës, patën marrë përgjegjësinë për riparimin e të gjitha objekteve fetare ortodokse serbe, të dëmtuar gjatë trazirave të vitit 2004.

Menjëherë pas trazirave, Kuvendi i Kosovës pati ndarë buxhetin prej 3.5 milionë eurosh për renovimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, deri në vitin 2010, ky buxhet kishte arritur shumën rreth 10 milionë euro.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, në vitin 2010 patën deklaruar se janë riparuar 30 nga 35 objektet fetare të dëmtuar dhe se ishte duke u zhvilluar faza përfundimtare për riparimin e të gjitha këtyre objekteve.

Kryeministri Mustafa ka theksuar se fushata e Kosovës për pranim në UNESCO, nuk do të përfshijë fakte, të cilat, siç ka thënë ai, janë të mjaftueshme, për të vërtetuar atë që ka pësuar Kosova nga lufta.

“Po të nxjerrim ne fakte se sa njerëz kanë humbur jetën në Kosovë, sa kemi të pagjetur akoma, sa objekte fetare dhe objekte tjera janë shkatërruar, atëherë kjo nuk do të ishte mënyra më e mirë që ne të dalim dhe të bëjmë kërkesë për anëtarësim në UNESCO".

"Konsiderojmë se është krejtësisht mënyrë e gabuar e Serbisë që të tentojë që përmes këtyre ‘argumenteve’ të parandalojë ose pengojë anëtarësimin tonë”, ka theksuar Mustafa.

Por, autoritetet serbe së fundmi kanë kritikuar edhe vendet, të cilat janë angazhuar për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ministri i Jashtëm serb, Daçiq, ka theksuar ministritë e jashtme të vendeve të Kuintit, “në kohën e krizës me migrantë dhe të terrorizmit, po merren me atë se kush dhe si do të votojë në Konferencën e Përgjithshme”.

“Nëse ata kanë kohë për këtë, ne kemi kohë 100 herë më shumë dhe do të luftojmë deri në fund. Unë dëshiroj që për këtë t’i porosis të gjithë”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se ky është qëndrimi i të gjitha autoriteteve të larta të Serbisë.

Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s do të nisë punimet me 3 nëntor dhe do të përfundojë ato me 18 nëntor.

Çështja e pranimit të Kosovës në këtë organizatë pritet të hidhet në votim me 9 nëntor.

XS
SM
MD
LG