Ndërlidhjet

Me gjithë bllokadën, ligjvënësit gëzojnë meditjet shtesë


Foto nga seancat e fundit në Kuvend.
Foto nga seancat e fundit në Kuvend.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të gëzojnë meditjet për seancat e papërfunduara në Kuvendin e Kosovës, përfshirë këtu edhe për mbledhjet e komisioneve parlamentare, në të cilat forcat politike në opozitë nuk kanë marrë pjesë.

Në pesë seanca radhazi, partitë politike opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë pamundësuar mbajtjen dhe përfundimin e seancave të parlamentit, me vezë, gaz lotsjellës dhe forma të tjera bllokimi.

Ata kundërshtojnë marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhemarrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Pavarësisht mbajtjes apo jo të seancave, deputetët marrin kompensim në emër të pjesëmarrjes në seancë apo takim, në momentin kur nënshkruhen në atë që quhet “listë e prezencës”, thotë në një përgjigje përmes postës elektronike për Radion Evropa e Lirë, Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka treguar se meditja për seance plenare, në total, për një muaj është 240 euro, kurse meditjet për pjesëmarrje në punën e komisioneve janë 160 euro në muaj.

Në Rregulloren e Kuvendit të Republikës se Kosovës, ndër të tjera thuhet se përveç të drejtës së kompensimit material në të ardhura mujore, deputetët kanë të drejtën në të ardhura shtesë për pjesëmarrje në seancat dhe komisionet e Kuvendit.

Vendimin për lartësinë e të ardhurave mujore dhe të kompensimeve shtesë e merr Kryesia e Kuvendit në bazë të propozimit të Komisionit për Buxhet e Financa.

Përfaqësues të shoqërisë civile pohojnë se rregullorja e Kuvendit e mundëson këtë formë të kompensimit financiar, por megjithatë ata thonë se një gjë e tillë është e padrejtë.

Jetmir Bakija, menaxher në Institutin Demokratik të Kosovës, i cili edhe mbikëqyrë funksionimin e Kuvendit, thotë se në këtë kohë, kur Kuvendi është në bllokadë, është vështirë të gjendet një zgjidhje për eliminimin e meditjeve.

“Normalisht, është e padrejtë të marrin meditje, kur kemi parë kësi lloji seancash në dy muajt e kaluar. Megjithatë, është pak e rrezikshme të tërhiqen [eliminohen] meditjet, pasi jo gjithmonë seancat përfundojnë ashtu siç parashihen të përfundojnë.”

Edhe Visar Rushiti, analist politikash në Institutin për Studime të Avancuara “GAP “ thotë se në rregulloren e punës se Kuvendit, nuk është e rregulluar çështja e mundësisë se shfuqizimit të meditjes në raste të caktuara.

“Çështja se kur deputeti shkon në mbledhjen e Kuvendit apo në mbledhje të komisionit, mirëpo për arsye tjera nuk i mundësohet pjesëmarrja, dhe duhet të lirojnë sallën të gjithë deputetët, siç kanë qenë rastet e fundit, nuk është e rregulluar. Nuk e di se sa do të mund të ketë bazë ndalimi i kompensimit shtesë për deputetët në rastet e tilla", tha Rushiti.

Përveç meditjeve për pjesëmarrje në seancë dhe komisionet parlamentare, sipas rregullores deputeti ka të drejtën e mbulimit të shpenzimeve, të qëndrimit dhe udhëtimit brenda dhe jashtë vendit me detyrë zyrtare, pastaj shpenzimet për telefona dhe derivate të naftës dhe për punën në trupa të tjerë jashtë veprimtarisë së rregullt të tij.

XS
SM
MD
LG