Ndërlidhjet

Dëgjim i zhurmës në sekondën e fundit të aeroplanit


Kutia e zezë e aeroplanit rus të udhëtarëve, të rrëzuar në Sinai të Egjiptit.
Kutia e zezë e aeroplanit rus të udhëtarëve, të rrëzuar në Sinai të Egjiptit.

Shefi i Komitetit hetues të Egjiptit, Ayman el-Muqadem, ka thënë se mund të dëgjohet zhurma në sekondën e fundit të incizimit të zërit në kabinën e pilotëve të aeroplanit rus të udhëtarëve, që është rrëzuar më 31 tetor në Gadishullin Sinai të Egjiptit.

“Një zhurmë është dëgjuar në sekondën e fundit në incizuesin e zërit në kabinë. Do të kryhet një analizë spektrale nga laboratorët special me qëllim që të identifikohet natyra e kësaj zhurme”, ka deklaruar Ayman el-Muqadem.

Ai ka theksuar se “observimi fillestar i mbetjes së aeroplanit nuk lejon ende identifikimin e origjinës së shkatërrimit gjatë fluturimit”.

Megjithatë, ai ka thënë se është shumë herët të përcaktohet shkaktari i shkatërrimit të aeroplanit, pasi ekspertët ende po mbledhin informacione.

Zyrtarët amerikanë dhe britanikë kanë cituar raporte të inteligjencës, që sugjerojnë se aeroplani me udhëtarët që fluturonte nga pushimorja, Sharm el-Sheik në Sinai, për në Shën Petersburg të Rusisë, është shkatërruar nga bomba në aeroplan.

Të 224 njerëzit në aeroplan, shumica prej tyre shtetas rusë, janë vrarë.

Një grup në Gadishullin Sinai, i afërt me militantët e Shtetit Islamik, ka thënë se e ka rrëzuar aeroplanin, por nuk ka ofruar prova.

Sipas Ayman el-Muqademit, shkatërrimi ka ndodhur në minutën e 23-të, të fluturimit, derisa autopiloti ishte ende i angazhuar, ndërsa copat e aeroplanit ishin shpërndarë nëpër një territor më të gjerë se 13 kilometra, që “është në përputhje me shkatërrimin gjatë fluturimit”.

Zyrtarë egjiptianë të sigurisë dhe të aeroportit i kanë thënë agjencisë Associated Press se autoritetet po e marrin në pyetje personelin e aeroportit dhe ekipin në terren, që kanë punuar ditën kur është nisur aeroplani, ndërsa disa të punësuar janë nën vëzhgim.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Egjiptit, Sameh Shoukry, është ankuar se qeveritë perëndimore nuk e kanë ndihmuar në mënyrë efikase Egjiptin në luftën e tij kundër terrorizmit.

Në një konferencë për gazetarë në Kajro, ai ka theksuar se thirrjet e Egjiptit në të kaluarën për ndihmë dhe koordinim në çështjet e terrorizmit nga “vendet që tash po ballafaqohen me rrezik”, nuk janë marrë seriozisht, dhe ka shtuar se “vendet evropiane nuk na e kanë dhënë bashkëpunimin për të cilin ne kemi shpresuar”.

Ministri Shoukry, po ashtu, është shprehur se vendet që i kanë pezulluar fluturimet në Sharm el-Sheik, nuk i kanë ndarë me autoritetet në Egjipt informacionet e inteligjencës që kanë çuar në vendimin për pezullim.

“Egjipti ka pritur se informacionet në dispozicion do të na komunikoheshin neve, e jo të transmetoheshin në media”, tha Sameh Shoukry.

Aktualisht, fluturimet për në pushimoren egjiptiane, Sharm el-Sheik, i kanë pezulluar Rusia, Britania dhe Irlanda.

Gati gjysma e qeverive të vendeve perëndimore evropiane u kanë rekomanduar shtetasve të vet që të mos udhëtojnë atje.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG