Ndërlidhjet

Kirurgjia Torakale me mungesë sallash


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kirurgjia Torakale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është një lëmi sub-specialistike e vetmja në Kosovë.

Ndonëse në këtë klinikë janë 10 kirurgë torakal, është vetëm një sallë operacioni.

Kërkesat për operime të ndryshme si kanceri i gjirit, kanceri i mushkërive e të tjera, janë shumë më të mëdha, sesa mund të ofrojë kjo klinikë, në mungesë sallash operacioni e mungesë anesteziologësh.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Shqiptar Demaci kirurg torakal.

"Rreth 20 pacientë në ditë e vizitojnë klinikën tonë. Por, është vetëm një sallë operacioni, dhe pranohen për shtrirje nga 2 deri në 3 pacientë në ditë. Kemi nevojë për material shpenzues të bollshëm dhe kemi mungesë aparaturash kompetente që përdoret sot në botë. Mungon materiali shpenzues i nevojshëm në kabinetin e bronkologjisë për kapjen e tumoreve të ndryshme".

Zoti Demaci shton se në pamundësi teknike për t'i operuar pacientët në këtë klinikë, ata shkojnë jashtë vendit, dhe shpenzojnë shuma të mëdha parash.

"Kërkesat janë dyfish më të mëdha për operim, se që mund t'i realizojmë për shkak të mungesës së sallës. Andaj fluksi i pacientëve për të dalë nga Kosova është në rritje nga pamundësia për t'i kryer këtu. Operacionet më të shpeshta që bëhen këtu janë operacionet e kancerit të gjirit dhe jemi më kompetentët në Kosovë për këto operacione, të kancerit të mushkërive, operacionet në gushë, në krahrorë".

Ministria e Shëndetësisë këtë vit ka ndarë fondin prej 6 milionë eurosh, për trajtimin e pacientëve jashtë institutcioneve publike shëndetësore.

Ky institutcion vitin e kaluar ka pranuar 1800 aplikacione nga pacientët, për marrjen e shërbimeve që nuk i ofron QKUK-ja, ku kanë përfituar 890 pacientë.

Këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Izet Sadiku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se janë duke e shqyrtuar mundësinë e krijimit të sallave të reja në kirurgjinë torakale, në mënyrë që pacientët shërbimet t'i marrin në sektorin publik e jo jashtë saj.

"Ministria e Shëndetësisë ka bërë angazhime për ofrimin e kushteve për shërbime shëndetësore, ta cilat shërbime pacientët i kanë marrë jashtë këtij sektori. Sa i përket kirurgjisë torakale është një klinikë mirë e menaxhueshme dhe janë rritur kapacietet njerëzore, derisa ne do të angazhohemi së bashku me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të bëjmë zgjidhje të shfrytëzimit racional të sallave ose krijimin e sallave të reja që pacientët të marrin shërbime në sektorin publik e jo jashtë vendit".

Sidoqoftë, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, patën deklaruar se sipas disa hulumtimeve të bëra nga Banka Botërore vitet paraprake, për një vit, pacientët kosovarë kanë shpenzuar rreth 80 milionë euro për t’u shëruar jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG