Ndërlidhjet

Organizatori i sulmeve në Paris është vrarë


Abdelhamid Abaaoud
Abdelhamid Abaaoud

Autoritetet franceze kanë thënë se organizatori i dyshuar i sulmeve terroriste në Paris është vrarë gjatë bastisjes policore në lagjen Saint Denis të Parisit, një ditë më parë.

Prokurori i Parisit, Francois Molins, ka thënë se Abdelhamid Abaaoud, 27 vjeç, nga Belgjika, është në mesin e dy personave të vrarë gjatë bastisjes. Personi i dytë i vrarë është një grua që ka hedhur veten në erë.

Gjatë bastisjes, autoritetet kanë arrestuar edhe tetë të dyshuar për përfshirje në sulmet në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 129 veta dhe të plagosur mbi 350.

Përgjegjësinë për to e kanë marrë militantët e Shteti Islamik.

Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka paralajmëruar të enjten ligjvënësit në Paris se vendi i tyre përballet me rrezikun e sulmeve të tjera terroriste, përfshirë ato me “armë kimike ose biologjike”.

Valls i ka bërë këto komente përpara se Dhoma e Ulët e Parlamentit të Francës ka votuar që të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme në vend edhe për tre muaj.

Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur menjëherë pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris.

Vendimi për vazhdimin e saj do të hyjë në fuqi menjëherë, nëse miratohet nga Senati i Francës të premten.

“Nuk duhet të përjashtojmë asgjë. Ka po ashtu rrezik nga armët kimike ose biologjike”, ka thënë Valls.

“Ajo çfarë është e re, është mënyra e operimit, mënyra e sulmeve dhe e vrasjeve. Imagjinata makabre e atyre që japin urdhra, është e pakufizuar. Pushkë sulmuese, prerje kokash, kamikazë, thika ose të gjitha në të njëjtën kohë”, ka shtuar kryeministri francez.

Operacione të sigurisë kanë vazhduar në Francë dhe vende të tjera të Evropës, për t’iu rënë në gjurmë militantëve të Shtetit Islamik.

Policia belge ka thënë të enjten se ka bërë gjashtë bastisje në zonën e Brukselit, që lidhen me njërin nga tre kamikazët që kanë hedhur veten në erë pranë stadiumit kombëtar të futbollit në Paris.

Një prokuror belg ka thënë se bastisjet lidhen me militantin Bilal Hadfi, shtetas francez, me origjinë marokene, i cili ka jetuar në Belgjikë dhe, gjatë këtij viti, ka kaluar kohë në Siri.

Në një fjalim përpara Parlamentit belg, kryeministri i Beligjikës, Charles Michel, ka premtuar fonde shtesë për të luftuar dhunën islamike.

“Një buxhet suplementar prej 400 milionë eurosh do të përforcojë kapacitetet e shërbimeve të sigurisë për të luftuar kundër terrorizmit”, ka thënë Michel.

Homologu i tij francez, Manuel Valls, i ka bërë thirrje gjithë Evropës që të miratojë masa për shkëmbimin e informacioneve në lidhje me pasagjerët e linjave ajrore, me qëllim mbrojtjen e sigurisë kolektive.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG