Ndërlidhjet

Rreth 20 mijë euro dëme në MTI nga protestat


MTI
MTI

Mbi 18.500 euro janë dëmet e shkaktuara vetëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë nga protesta e fundit e mbajtur në Prishtinë, organizuar nga partitë e opozitës.

Në këtë ministri janë dëmtuar 14 vetura zyrtare dhe janë thyer xhamat e dritareve të ndërtesës, thotë për Radion Evropa e Lirë, Adem Gashi, udhëheqësi i zyrës për informim.

“Sipas raportit të Komisionit Vlerësues rezulton se në këtë ministri janë demoluar 14 vetura zyrtare, vlera materiale llogaritet të jetë 1800 euro. Ndërkaq pjesa tjetër e pasurisë së dëmtuar janë xhamat mural të ndërtesës dhe dëmtimi i tyre kap vlerën 3000 euro. Pastaj dëmtimet e pjesëve të makinave dhe gjërat tjera llogaritet të jetë mbi 12 mijë euro. Pra, shuma totale e dëmeve llogaritet të jetë 18.500 euro.”

Të mërkurën, opozita ka organizuar protesta, të cilat eskaluan në dhunë, pas arrestimit të deputetes, Donika Kadaj - Bujupi të cilës i është shqiptuar masa prej 30 ditëve paraburgim.

Si pasojë e dhunës se shprehur gjatë protestës, ka pasur dëmtime të konsiderueshme materiale.

Dëmtime ka pasur në objektet publike, një veturë zyrtare është djegur, kurse 10 vetura tjera të ministrive dhe policisë janë dëmtuar.

Por, për të gjitha këto, autoritetet kompetente nuk kanë përfunduar vlerësimin e përgjithshëm të dëmeve.

Kompetent për një proces të tillë është Ministria e Administratës Publike.

Zeqir Bekolli, udhëheqës i Divizionit për Komunikim, në një përgjigje përmes postës elektronike ka treguar se kjo ministri ka një kontratë për operatorin ekonomik, “Sigal” që merret me vlerësimin e dëmeve.

Zekolli ka thënë se tash për tash është e njohur se dëmet më të mëdha janë shkaktuar në ndërtesën e Qeverisë se Kosovës. Por, Komisioni Vlerësues, sipas tij, ende nuk ka bërë ndonjë vlerësim material.

Ndryshe, Adem Gashi nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se dëmtimi i veturave zyrtare ka shkaktuar vështirësi në realizimin e punëve të obliguara, pasi në shumicën e rasteve, punonjësit duhet të jenë në terren.

“Vështirësitë në punë janë evidente, pasi një pjesë e madhe e stafit të ministrisë, punën më të madhe e bën në terren, siç janë njësia e inspektoratit pasi ata janë gjatë gjithë ditës në lëvizje".

"Por, tash është reduktuar në maksimum, megjithëse njerëzit po përpiqen të bëjnë atë që është e mundur që të bëjnë detyrat e tyre”, tha Gashi.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, pohojnë se të gjitha dëmet e shkaktuara në pronat publike dhe veturat zyrtare shkojnë në dëm të qytetarit të Kosovës.

Eksperti i ekonomisë Naim Gashi, thotë se dëmet e shkaktuara përveç se i kushtojnë buxhetit të Kosovës, veprimet e tilla po i shkaktojnë dëme edhe imazhit të shtetit, para partnerëve ndërkombëtarë dhe investitorëve potencial.

“Ky është një dëm i drejtëpërdrejtë për xhepin e qytetarëve të Kosovës. Për arsye se të gjitha objektet publike, parqet, veturat janë ndërtuar, mirëmbahen dhe riparohen më paratë e taksapaguesve kosovarë, do të thotë me taksat tona".

Ndryshe, protestat e opozitës, Lëvizjës Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, thuhet se kanë qëllim kundërshtimin e marrëveshjeve që Kosova ka arritur në dialog me Serbinë, sidomos asaj për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Po ashtu, po kundërshtohet edhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

XS
SM
MD
LG