Ndërlidhjet

AAK me disa kushte e gatshme të bisedojë me Qeverinë


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dhënë disa shenja premtuese për gatishmërinë e saj që të fillojë dialogun me Qeverinë në lidhje me procedimin në Kuvend të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Por, AAK fillimisht i kërkon qeverisë që të shkarkojë komisionin qeveritar për demarkacion të cilit nuk i beson më dhe të emërojnë një tjetër në mënyrë që procesi të kthehet nga e para.

Kjo sipas zëdhënësit të AAK-së, Muharrem Nitaj, do të çonte në anulimin e marrëveshjes të cilën kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e ka nënshkruar me autoritetet e Malit të Zi.

“Demarkacioni ka probleme serioze dhe në fakt nuk është demarkacion, por përcaktim i linjës kufitare dhe kjo nuk është e drejtë e komisionit shtetëror. Kufiri ka ekzistuar më herët dhe me procesin e demarkacionit ajo mund të korrigjohet deri në një për qind".

"Kurse komisioni e ka lëshuar vijën kufitare disa kilometra më poshtë, andaj kjo marrëveshje nuk mund të vijë në Kuvend, sepse është përcaktim i kufirit të ri, por duhet që procesi të nis nga e para dhe të vendoset në mënyrë korrekte dhe tek atëherë të vijë për ratifiko në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Nitaj.

Gjatë ditës së premte, ka ndodhur edhe një takim në lidhje me demarkacionin ndërmjet sekretarit të AAK-së Blerim Kuçi dhe zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi.

Ky i fundit u ka thënë medieve se me Blerim Kuçin janë takuar në zyrën e tij në ndërtesën e Qeverisë ku është biseduar në lidhje me hartat të cilat AAK ditë më parë ua kishte shpërndarë edhe deputetëve.

Sipas Abrashit, takimi nuk kishte ndonjë karakter negociatash, sa ishte miqësor për të shkëmbyer pyetje e ide rreth temës së demarkacionit.

Ndërkohë, edhe zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj ka theksuar se takimi ndërmjet Abrashit dhe Kuqit ishte i karakterit miqësor dhe pa ndonjë obligim për palët.

Sipas tij, qëllimi i AAK-së, nuk ishte që të lidhë aleanca politike me partitë në pushtet, por që t’i bindë subjektet politike ta kuptojnë se Kosova duhet ta tërheq marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin, si edhe atë me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Përpjekjet që ky takim, ta quajmë miqësor, të interpretohet si përpjekje për krijimin e një koalicioni me partitë e koalicionit qeverisës, mendoj që janë spekulime. AAK asnjëherë nuk ka kërkuar që të ketë marrëveshje me partitë politike".

"Ne kemi kërkuar që partnerët që janë në pushtet, në këtë rast kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi të tërhiqen nga dy marrëveshjet e tyre me të cilat i kanë shkaktuar një dëm të jashtëzakonshëm vendit”, ka theksuar Nitaj.

Opozita, ka bojkotuar dhe bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës për më gjatë se dy muaj, duke kërkuar që kryeministri dhe qeveria e Kosovës të tërhiqen nga marrëveshjet me Serbinë dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin.

Pa tërheqjen nga këto marrëveshje, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma janë zotuar se nuk do të ndalen qoftë përmes bllokimit të institucioneve apo edhe protestave në rrugë.

Për shkak të këtyre veprimeve dhe përfshirjes së deputetëve në aktivitete, që janë cilësuar, të ndaluara, siç ishte përdorimi i gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit, aktualisht në paraburgim po mbahet deputetja e AAK-së, Donika Kadaj - Bujupi, kurse policia mbetet në kërkim të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.

XS
SM
MD
LG