Ndërlidhjet

Opozita: Bashkë kundër atyre që po e shkatërrojnë vendin


Pamje nga takimi i së shtunës i opozitës në Prishtinë, 21 nëntor 2015.
Pamje nga takimi i së shtunës i opozitës në Prishtinë, 21 nëntor 2015.

Liderët e partive politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, në një tubim të mbajtur me kryesitë e degëve dhe simpatizantët në Prishtinë, deklaruan se do t’i arrijnë synimet politike dhe do ta ndalin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Ata thanë, po ashtu, se çfarëdo dhune që mund të përdoret ndaj opozitës, nuk do të mund t’i ndalë qëllimet e tyre.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në tubimin e strukturave të subjekteve opozitare, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 28 nëntor, në mënyrë masive dhe paqësore, të dalin për të kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.

“Ne nuk mund të bindemi dhe nuk do të bindemi kurrë ndaj një pushteti që kërkon t’ia japë mbi 10 mijë hektarë të Kosovës një vendi tjetër. Ne nuk mund të pranojmë dhe do të vazhdojmëderi në fund betejën kundër një pushteti që betonon ndarjen e Kosovës përmes ‘Zajednicës’, e rikthen Serbinë në Kosovë, dhe i formalizon dhe i veshë në uniformë strukturat ilegale e kriminale të saj”, tha Ymeri.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e akuzoi Qeverinë e Kosovës, që siç u shpreh ai, po e zvogëlon pavarësinë e Kosovës.

Ai tha, po ashtu, se opozita nuk do të lejojë që të ketë “dy zotë shtëpie” në Kosovë.

“Nuk mundet dikush tjetër në vendin tonë të jetë zot shtëpie. Sot Kosovës po i ofrohen dy Kosova, pra aso lloj marrëveshjesh dy kuptimëshe – Brukseli t’i interpretojë në dy mënyra. Cilat janë ato dy Kosova; një Kosovë e 17 Shkurtit dhe një Kosovë e ‘Zajdenicës’. Nuk ka se si do të jetë në të mirën e rajonit kur Serbia ka vendim-marrje në Kosovë. Nuk do të lejohet kjo”, deklaroi Haradinaj.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se kryeministri Isa Musatafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, po i keqpërdorin të gjitha instrumentet shtetërore dhe po vihen në shërbim të mbrojtjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Limaj u bëri thirrje të pranishmëve që të përcjellin mesazhe anekënd vendit te qytetarët, pa dallim të bindjes së tyre partiake, që, siç tha ai, të gjithë të bashkohen më 28 nëntor në një manifestim paqësor për të kundërshtuar dy marrëveshjet që, sipas tij, po e shkatërrojnë Kosovën

“Ju ftoj që ta zgjeroni fuqinë tonë, bashkimin tonë në mbrojtje të Kosovës. Kosova sot ka nevojë për një zë të fuqishëm, i cili bashkon dhe stopon të keqen që po i kanoset", theksoi Limaj.

Në takimin e opozitës së bashkuar,folën edhe anëtarë të partive opozitare e deputetë.

Ish- kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tash pjesë e partisë Nisma për Kosovën, duke folur për qeverisjen aktuale, tha se ajo po e keqpërdor gjithë pasurinë shtetërore.

Krasniqi theksoi se koalicion [PDK – LDK], nuk e ka mandatin qytetar, për të bërë marrëveshje të tilla që janë në dëm të vendit.

Opozita ka bojkotuar dhe bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës për më gjatë se dy muaj, duke kërkuar që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të tërhiqen nga marrëveshjet me Serbinë dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin.

Pa tërheqjen nga këto marrëveshje, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma, janë zotuar se nuk do të ndalen, qoftë përmes bllokimit të institucioneve apo edhe protestave në rrugë.

Për shkak të këtyre veprimeve dhe përfshirjes së deputetëve në aktivitete, që janë cilësuar të ndaluara, siç ishte përdorimi i gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit, aktualisht në paraburgim po mbahet deputetja e AAK-së, Donika Kadaj - Bujupi, kurse policia mbetet në kërkim të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.

XS
SM
MD
LG