Ndërlidhjet

VOX: Të rinjtë preferojnë profesionin para zanatit


Studimi në një lëmi të caktuar, që më pas do të bëhet profesioni i tyre, është më i parapëlqyer për të rinjtë në Kosovë, sesa që të aftësohen në një punë zanati.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, të rinjtë e Kosovës dëshirojnë shkollim superior, pavarësisht asaj që, siç shprehen ata, e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune.

Aftësimin për një punë zanati, nuk e shohin si një të ardhme të mirë për ta, thonë se me përfundimin e një fakulteti do të jenë më të përgatitur.

Valbona Baliu, thotë të këtë zgjedhur të studiojë në fushën e marketingut, që në të ardhmen të punojë si agjente marketingu.

“Unë jam studente në studimet master, për mua më mirë është të përfundosh fakultetin, pra ta kesh një profesion tëndin, sesa një zanat, edhe pse aktualisht nuk ka asgjë edhe nëse kryen shkollë, pasi që nuk arrin të punësohesh”, shprehet ajo.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:22 0:00

Albion Hetemi është nxënës i shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë. Ai mendon që të studiojë pas përfundimit të shkollës së mesme.

“Do të doja të studioja dhe të bëhem jurist, nuk e shoh veten në një punë zanati, çfarëdo qoftë ai”, shprehet Albioni.

Çlirim Veseli, ndonëse e di se me një aftësim profesional për një punë të caktuar, është më lehtë të punësohesh, mendon të zgjedhë të studiojë.

“Profesion kisha dëshirë pasi që është më mirë, pasi që fakulteti është obligativ ta përfundoj për mu, edhe pse kur vjen të koha për t’u punësuar, gjithçka shkon me të njohur, sesa që të shikojnë se sa je i ngritur profesionalisht. Sa i përket zanatit, mendoj se është mënyra më e lehtë për të gjetur punë, por unë dua të jem i diplomuar në një fakultet”, shton Çlirimi.

Ardianit, ndërkaq, do t’i pëlqente edhe të studionte edhe të merrte një zanat.

“Edhe punë zanati, edhe punë në një profesion, mendoj se do të ishin të mira. Unë me dëshirë do të studioja Informatikën pas shkollimit të mesëm, por pse jo të marr edhe ndonjë zanat”, thotë Ardiani.

Ndërkaq, Raskim Bunjaku mendon se zanati mund të jetë për nxënës, të cilët nuk kanë treguar sukses të mirë gjatë mësimeve në shkollimin e mesëm.

“Do të doja të jem menaxher i ndonjë kompanie, zanati do të ishte për dikë që është më i dobët dhe në shkollim nuk ka treguar aftësi për studime”, thotë ai.

Trajnime profesionale për të papunësuarit, të cilët paraqiten në qendrat e punësimit në Kosovë, ofron Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Divizioni për Aftësim Profesional në kuadër të kësaj ministrie, zhvillon politika për aftësim profesional në harmoni me kërkesat e tregut të punës si aftësimi në auto-elektricist, elektronikë industriale, saldim, kuzhinier, kamerier, teknologji informative bazë kompjuterike dhe profile të tjera.

Aty ofrohen trajnime falas në profesione të zgjedhura.

Por, pavarësisht kësaj, të rinjtë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë thonë se duan të studiojnë.

Valmira thotë se nuk do të zgjidhte zanatin, pasi që, sipas saj, nuk ka perspektivë:

“Preferoj ta përfundoj fakultetin dhe të punësohem diku në institucione. Nuk do të doja të aftësohem në një punë zanati, pasi që me zanat mund të gjesh punë vetëm në sektorin privat, ku kushtet e punës janë shumë të këqija”.

Ngjashëm, shprehet edhe Eli Aliu:

“Preferoj t’i përfundoj studimet, jam në Fakultetin e Arkitekturës dhe më pëlqen ky profesion dhe dua ta vazhdoj këtë. Unë mendoj që ata që kanë një profesion, kanë më shumë përparësi në të gjitha fushat”.

Numri i studentëve në Universitetin e Prishtinës ishte konsideruar të jetë mjaft i lartë, në veçanti në disa fakultete, si në Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik.

Numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin publik universitar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është afër 70 mijë.

Në vitin akademik 2015/2016, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”,janë regjistruar 7,880 studentë, shifër kjo më e ulët për rreth 4,000 studentë se sa në vitet e mëparshme

Vendimi për zvogëlim të numrit të studentëve fillestarë ishte arsyetuar me nevojat e tregut të punës dhe me nevojën për cilësi më të lartë në studime.

Një numër i madh i studentëve vijojnë studimet edhe nëpër fakultete private në Kosovë.

XS
SM
MD
LG