Ndërlidhjet

Seanca e radhës më 30 nëntor, opozita me manifestim kundër qeverisë


Foto nga seanca e fundit në Kuvend.
Foto nga seanca e fundit në Kuvend.

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet në seancën e radhës me datën 30 nëntor. Vendimin për caktimin e kësaj seance e ka marrë kryesia e këtij institucioni.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli i ka bërë thirrje opozitës që të mos i përsëris veprimet që çojnë deri te bllokimi dhe tensionet në Kuvend, siç ka ndodhur këta dy muajt e fundit.

Sipas Veselit, opozita e ka izoluar vetveten, pasi që nuk pranon dialog dhe as komunikim me pushtetin, duke e zgjedhur vetëm rrugën e bllokimit dhe konfrontimit.

"Kolegë opozitarë, mendoni për përgjegjësitë e juaja, kthehuni në Kuvend. Nëse keni çështje të cilat janë për debat në Kuvend mos përdorni mjete të dhunshme, mos përdorni fyerje, mos përdorni gaz lotsjellës për ta inkriminuar vetveten. Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta vazhdon punën e vet", ka thënë Veseli.

Ndërkohë, opozita ka paralajmëruar se do të bllokojë punimet e të gjitha seancave, përderisa kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe Qeveria e Kosovës të mos i tërheqin nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin.

Pa tërheqjen nga këto marrëveshje, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë zotuar se nuk do të ndalen qoftë përmes bllokimit të institucioneve apo edhe protestave në rrugë.

Për këtë qëllim, këto tri subjekte kanë thirrur edhe një manifestim anti-qeveritar më datën 28 nëntor, datë kjo që shënon edhe Ditën e Flamurit shqiptar dhe e cila festohet në Kosovë.

Por, në rrethanat aktuale, sipas njërit prej liderëve opozitar, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk ka vend për festë sa ka për protestë.

"Më 28 nëntor nuk është mirë me festu pa kuptim, sepse i dëgjova disa që po iu dhimbset festa. Po thonë është ditë feste. Shumë mirë që është ditë feste. Por, do të festojmë me kuptim, me porosi", ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli vlerëson se askush nuk mund të përpiqet që të përfitojë nga data të tilla historike, për qëllime politike.

"Nuk e duan ata flamurin më shumë se ti apo unë. Edhe 28 nëntori nuk është datë të cilën e kanë zgjedhur ata mirë për ndonjë lloj proteste. Përkundrazi, është pafuqi e tyre. Flamuri kombëtar është i shenjtë për të gjithë ne, siç është i shenjtë që nga 17 shkurti edhe flamuri i shtetit", ka thënë Veseli.

Që nga 25 gushti, kur në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Prishtina dhe Beogradi nënshkruan marrëveshje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe më pas edhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin, opozita jo vetëm që ka bojkotuar, por edhe ka bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.

Protesta ndaj këtyre marrëveshjeve kishte jo vetëm në rrugë, por edhe në Kuvend.

Për shkak të këtyre veprimeve dhe përfshirjes së deputetëve në aktivitete, që janë cilësuar të ndaluara, siç ishte përdorimi i gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit, aktualisht në paraburgim po mbahet deputetja e AAK-së, Donika Kadaj - Bujupi, kurse policia mbetet në kërkim të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.

XS
SM
MD
LG