Ndërlidhjet

Putin i dhuroi Khameneit Kuranin me histori të veçantë


Takimi Putin - Khamenei
Takimi Putin - Khamenei

Një kopje e Kuranit, të cilën presidenti rus, Vladimir Putin, ia ka dhuruar më 23 nëntor liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, është e rrallë dhe bartë me vete një histori të veçantë.

Ai ndoshta nuk është verzioni origjinal i edicionit të parë të shtypur të Kuranit, nga periudha e para 1,500 viteve, por është një libër i shenjtë mysliman, që në vetvete përmban tregimin e jashtëzakonshëm.

Në takimin që iu dha publicitet i madh në mediat ruse, presidenti, Vladimir Putin, i dha liderit suprem, Ali Khamenei, një prej pak kopjeve të edicionit origjinal, që së pari ishte shtypur në shekullin e VII-të.

Kjo kopje, njëra nga ato pak që ende ekzistojnë, është diçka si thesar, pasi e ka një histori shumë interesante.

Në vitet para dhe deri në vdekjen e Profetit Muhamed, në vitin 632 AD – për të cilin myslimanët besojnë se porositë e Zotit i janë dhënë atij direkt – ishin mbajtur mend nga mbështetësit e tij dhe ishin përcjellur gojarisht, që ndonjëherë ka rezultauar me variante dalluese.

Në vitin 651 AD, kalifi ose lideri mysliman, Osmani, vendosi t’i kodifikojë mësimet e Muhamedit në një libër të vetëm. Ishin shtypur vetëm pesë Kurana të Osmanit.

Historia e pranuar më së shpeshti nga intelektualët, është ajo se pasi Osmani ishte vrarë nga një turmë, pasardhësi i tij , Ali, e solli Kuranin në pjesën veriore të Irakut, që më vonë u okupua dhe u plaçkit nga sunduesi legjendar në Azinë Qendrore, Tamerlani, në kalimshekullin 14-15.

Tamerlani kishte urdhëruar që Kurani i Osmanit të kthehej prapa në kryeqytetin e perandorisë së tij të madhe, Samarkand, që tash gjendet në pjesën qendrore të Uzbekistanit.

Një pjesë e pesë Kuranëve origjinalë të Osmanit besohet se gjenden në Pallatin Topkapi në Stamboll të Turqisë, megjithqë disa intelektualë kanë shprehur dyshime për prejardhjen e tyre.

Kurani i Osmanit gjendej në Xhaminë Ahrar në Samarkand për katër shekuj, derisa ushtritë okupuese të perandorisë ruse e pushtuan Azinë Qendrore, atëherë e njohur si Turkestan.

Në vitin 1869, një guvernator rus e dërgoi këtë Kuran në kryeqytetin Shën Petersburg, për ta ruajtuar atje në librarinë perandorake.

Në vitin 1905, etnografët e kanë njohur rëndësinë historike të këtij Kurani dhe kanë urdhëruar të bëhen 50 kopje. Gjysma e këtyre kopjeve janë shitur.

Pesë u ishin dhënë Car Nikollës së Dytë dhe personaliteteve të tjera të kohës, përfshirë sulltanin otoman në Stamboll, emirin e Bukarës, e të tjerë.

Në fillim të 1920-tës, lideri bolshevik, Vladimir Lenin, duke synuar që t’i qetësoj njerëzit në territoret myslimane në Azinë Qendrore nga kryengritja kundër shtetit të ri sovjetik, ofroi që Kurani origjinal i Osmanit të kthehej në Uzbekistan.

Në vitin 1924 Kurani arriti në kryeqytetin Tashkent, në Uzbekistan, ku edhe sot gjendet në librarinë e Xhamisë Teljeshajak.

Nga kopjet, që ishin shtypur para 110 vjetësh në Shën Petersburg, besohet se kanë mbetur vetëm pak dhe ato mbahen në libraritë e Shën Petersburgut në Rusi, në Tashkent të Uzbekistanit dhe në Universitetin Kolumbia në Qytetin Nju Jork në Shtetet e Bashkuara.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG