Ndërlidhjet

Mustafa: Të pranohet cilido vendim i Gjykatës Kushtetuese


Isa Mustafa
Isa Mustafa

Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Isa Mustafa, si nënshkrues i marrëveshjes në Bruksel për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë të gatshëm të pranojnë dhe zbatojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës lidhur me kushtetutshmërinë e parimeve të kësaj marrëveshjeje.

Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili në një konferencë për medie, të martën, ka dënuar, siç e ka quajtur ai, dhunën në Kuvendin e Kosovës nga deputetët opozitarë, si dhe dhunën e protestuesve gjatë protestave të fundit të organizuara nga partitë opozitare.

Këto të fundit kanë kërkuar anulimin e marrëveshjes për Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ftuar përfaqësuesit e partive opozitare që t’i kthehen punës në institucione dhe përmes bisedimeve t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dhe se “bllokimi dhe dhuna nuk janë mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës”.

Ai ka kërkuar nga opozita që me qetësi ta presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe çfarëdo qoftë ai, ta pranojë.

“Mund të them se asnjë element i marrëveshjes ose asnjë element i statutit (të Asociacionit të komunave me shumicë serbe) nuk do të kalojë në qoftë se Gjykata Kushtetuese thotë se ai nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës".

"Në qoftë se thuhet që edhe marrëveshja, si tërësi, nuk është, atëherë marrëveshja nuk zbatohet, por kthehet prapë në Bruksel dhe çdo gjë që arrihet atje, prapë do të arrihet vetëm në harmoni me mendimin dhe vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Ai ka theksuar se edhe çështja e marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, të cilën partitë opozitare kërkojnë të tërhiqet, ende mbetet e hapur dhe me mundësi përmirësimi, në rast të argumentimit profesional.

“Edhe marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi e ka rrugëzgjidhjen e vet. Ndërkohë që keni dëgjuar interpretime të ndryshme të kësaj marrëveshje, unë dëshiroj se si kryeministër i Republikës së Kosovës kam kërkuar nga Bashkimi Evropian mbështetje për ekspertizë profesionale për procesin e shënimit të kufirit me Malin e Zi".

"Të njëjtën gjë do ta kërkoj edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që në prezencë të ekspertëve të Komisionit qeveritar dhe të ekspertëve nga opozita, të vlerësohet procedura e shënimit, përfshirë edhe dokumentacioni i cili është shfrytëzuar për shënimin e kufirit”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Ai ka shtuar se pamjet e bllokadës dhe dhunës nga opozita janë imazhe joreale dhe të këqija për Kosovën.

Megjithatë, Mustafa ka theksuar se qeveria është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën dhe mirëpret oponencën e saj, por nuk do të gjunjëzohet përballë skenarëve të bllokimit dhe dhunës.

Por, në anën tjetër, zyrtarë të partisë opozitare më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje, thonë se kundërshtimi i kësaj lëvizjeje dhe partive opozitare është politik në raport me marrëveshjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe për demarkacion të kufirit me malin e Zi

Driton Çaushi, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se opozita këmbëngul që për normalizimin e situatës në Kuvendin e Kosovës, hapi i parë duhet të jetë anulimi i këtyre dy marrëveshjeve.

“Çfarëdo procesi tjetër, duhet të jetë i paraprirë nga anulimi i marrëveshjeve të Brukselit. Këta nuk kanë pasur mandat të marrin vendime të tilla dhe nuk ka kuptim që tani të punohet në komisione të ndryshme që përfshijnë edhe ekspertizën në raport me këto dy çështje, përderisa vendimet janë marrë. Pra, anulimi nuk ka alternativë, ndërkaq çdo gjë duhet të vihet në diskutim pas një akti të tillë”, ka thënë Çaushi.

Ai ka theksuar se partitë opozitare tashmë kanë paralajmëruar manifestim të qetë me 28 nëntor, ditë e cila përkon me shënimin e ditës së pavarësisë së Shqipërisë, apo siç njihet me emrin “Festa e Flamurit”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka theksuar se ‘njeriu i Kosovës dhe flamuri kombëtar nuk meritojnë të keqpërdoren për aspirata të individëve” dhe e ka quajtur hipokrizi kërkesën ndaj qytetarëve që të marrin pjesë në manifestime paqësore për të përkrahur, siç ka theksuar ai, politikën e atyre që demonstrojnë dhunë.

XS
SM
MD
LG