Ndërlidhjet

Sëmundjet ngjitëse pa shpërthime të mëdha epidemike


QKUK
QKUK

Kosova në vitet e fundit ka raportuar si shpërthim epidemik tulareminë, si dhe raste të etheve hemoragjike krime-kongo.

Ndryshe në Kosovë, gjatë vitit infektohen me sëmundje ngjitëse rreth 100 mijë njerëz. Sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i rasteve të reja që infektohen me sëmundje ngjitëse, është rreth 6 mijë në 100 mijë banorë.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ndonëse sistemi i referimit shëndetësor nuk po funksionin përkundër përpjekjeve të shumta, megjithatë raportimi i sëmundjeve ngjitëse ka arritur nivelin e duhur.

"Në sistemin shëndetësor, nuk është duke funksionuar sistemi i informimit shëndetësor, ku këtu bën pjesë edhe mbikëqyrja e sëmundjeve ngjitëse".

"Kur flasim për mbikëqyrjen e sëmundjeve ngjitëse është një kuriozitet dhe një paradoks njëkohësisht, sepse në këtë sistem të informimit shëndetësor i cili akoma nuk është sa duhet funksional në nivel shteti, sistemi i mbikëqyrjes së sëmundjeve ngjitëse funksionon për mrekulli me të gjitha standardet e përcaktuara evropiane të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë".

"Në këtë kontekst, në Institutin Kombëtar kemi edhe softuerin e sofistikuar që punon në bazën e vet, pra në rrjet, dhe është i lidhur me të gjitha institutet rajonale dhe të gjitha institucionet tjera të Kosovës, ku raportimi i sëmundjeve ngjitëse është i volitshëm", tha Ramadani.

Ndryshe në Kosovë ekziston ligji i aprovuar në Kuvendin e Kosovës për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, derisa institucionet shëndetësore vazhdojnë që të mos i raportojnë në mënyrë të rregullt Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Sali Ahmeti infektolog, thotë se Kosova ballafaqohet me sëmundje ngjitëse klasike dhe shfaqen ende me forma të rralla, por rrallë edhe me shpërthime epidemike.

"Në Kosovë sëmundjet ngjitëse të raportuara janë ethet hemorragjike krime -kongo, pra ato të rriqrave si dhe ethet hemorragjike me sindrom renal, apo ethet e minjve".

"Gjithashtu janë sëmundjet që shfaqen në mënyrë të zakonshme pa shpërthime epidemike, pra sëmundje sezonale të shkaktuara nga viruset e ndryshme. Gjithashtu në sezonin e dimrit gripet e formave të ndryshme, si AH1N1, që ka qenë prezent vitin e kaluar".

"Janë edhe meningjitet që prekin sistemin qendror nervor. Kemi edhe hepatitet si sëmundje ngjitëse, ku më të shpeshtat janë hepatiti B dhe C. Gjithashtu raportohet edhe bruceloza, sëmundje që prek kryesisht familje të ngushtë apo edhe të gjerë, që bartet nga mishi i deleve", tha Ahmeti.

Sidoqoftë, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, tashmë i është bërë vlerësimi për t’u bërë Qendër Trajnuese për një program të caktuar që shërben për ngritjen e kapaciteteve në parandalimin dhe kontrollin e kërcënimeve nga sëmundjet ngjitëse.

"Qëllimi i programit MediPIET, ashtu si quhet ky program, është fuqizimi dhe ngritja e kapaciteteve në parandalimin dhe kontrollin e kërcënimeve natyrore apo të provokuara nga njeriu e orientuar nga sëmundjet ngjitëse, duke zbatuar programin afatgjatë të epidemiologjisë së terrenit".

"Krahas kësaj, qëllim tjetër është krijimi i rrjetit të epidemiologëve të terrenit, për të ngritur platformën e përbashkët në luftë kundër kërcënimeve të shëndetit’’, ka thënë zoti Ramadani.

Sidoqoftë, derisa në Kosovë në vitin 2013 janë raportuar rreth 100 mijë raste të sëmundjeve ngjitëse, në vitin 2012 kanë qenë rreth 123 mijë raste, gjë që Kosova çdo vit shënon rënie të kësaj dukurie.

XS
SM
MD
LG