Ndërlidhjet

Reformimi i arsimit në Kosovë, mision i mundur


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Reformimi i Universitetit të Prishtinës është mision i mundur, por që për këtë duhet vullnet, punë, guxim, vizion dhe mbështetje, kanë vlerësuar përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, arsimit të lartë dhe njohës të çështjeve të arsimit në vend.

Një studim i publikuar të premten nga Instituti Demokratik për Zhvillim ka vënë në pah një varg problemesh të shumta në arsimin e lartë.

Mësimdhënia jo e rregullt, klasat e stërmbushura, mospërputhja e programeve studimore me tregun e punës dhe mungesa e mekanizmave efektiv për sigurimin e cilësisë, paraqesin sfidat kryesore lidhur me cilësinë e mësimit në Universitetin e Prishtinës në Kosovë.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami, ka thënë se reformimi i universitetit është i domosdoshëm dhe se ky reformim mund të bëhet vetëm se duhet konsensus shoqëror dhe shtetëror.

“Reformimi i Universitetit të Prishtinës nuk është interes vetëm i 60 mijë studentëve apo 2 mijë mësimdhënëse, por është interes komplet i shoqërisë së Kosovës".

"Prandaj, na duhet një konsensus që të kemi një qasje plotësisht korrekte ndaj universitetit, të respektojmë në plotësi autonominë e universitetit dhe të fokusohemi se cili është roli i UP-së sot në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka theksuar ministri Bajrami.

Në Kosovë, ka shtuar ministri Bajrami, cilësia e mësimdhënies është e dobët.

Sipas tij, metodat e mësimdhënies në Kosovë nuk janë praktike dhe nuk janë të dobishme për studentët.

“Akoma studentët në Kosovë më shumë ngarkohen me teori dhe bëjnë studime teorike sesa që pajisen me shkathtësi dhe me kompetenta që do t’i hynin në punë karrierës së tyre si ekspertë të ardhshëm. Akoma tregu i punës ka vërejtje në kualitetin e studentëve tanë", tha ai.

Për tu reformuar Universiteti i Prishtinës, gjatë kësaj konference është theksuar se Universiteti duhet të rishikojë procedurat për zhvillimin e programeve të reja akademike dhe përditësimin e atyre ekzistuese.

Po ashtu, është thënë që Universiteti duhet të aplikojë standardet minimale për programet e veta të studimit për t’u siguruar se janë në dispozicion me resurset e nevojshme.

Universitetet duhet të kërkojnë përkushtim të plotë të stafit akademik ndaj detyrave për faktin se pagat në UP janë mjaft konkurruese në nivel kombëtar, por edhe në atë rajonal.

Universiteti i Prishtinës duhet të kërkojë që mësimdhënësit të përdorin një shumëllojshmëri të metodave të vlerësimit, duke nxitur zhvillimin e aftësive të ndryshme.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, ka folur për një gjendje jo të mirë në arsimin e lartë në Kosovë, por që për të përmirësuar këtë gjendje, ai ka theksuar se bëhen veprime nga të gjithë.

“Reformimi i arsimit të lartë është i mundshëm edhe unë e pohojë këtë,është i mundshëm sepse bazohet në kapacitet akademiket të cilat sot i ka ky institucion përkundër vështirësive të mëdha që ballafaqohet punojnë të gjithë ata, të cilët në një formë bëjnë mësimdhënien, bëjnë shkencën në Kosovë”, ka theksuar Zejnullahu.

Në anën tjetër, edhe Leon Malzogu nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim ka theksuar se duhet të bëhen lëvizje të mëdha në arsimin në Kosovë.

“Është me rëndësi që UP të prodhojë kuadro dhe kuadrot të përmbushin jo vetëm tregun e sotëm të punës, por duhet të përmbushin edhe tregun e ardhshëm të punës. Nëse shkathtësitë që do të duhen në vendin tonë në të ardhmen nuk i prodhojmë, atëherë do të humbin garën edhe në zhvillim”, ka shtuar Malazogu.

Interesimi për t’u regjistruar në arsimin e lartë në Kosovë është shumëfishuar në dekadën e fundit.

Ndërmjet vitit 2004 dhe 2015, numri i studentëve në arsimin e lartë është trefishuar nga 40 mijë në 120 mijë.

Sot Kosova është e para në Evropë me 6.669 studentë në 100 mijë banorë, dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian prej 3.987.

Në Universitetin e Prishtinës, raporti i personelit akademik për student është 1 profesor me 52 studentë, ky raport në Shqipëri është 1 me 24, në Serbi 1 me 23, në Maqedoni 1 me 17, dhe në Kroaci 1 me 9 .

XS
SM
MD
LG