Ndërlidhjet

Kredi për rritje të cilësisë së arsimit


Ilustrim(©Shutterstock)
Ilustrim(©Shutterstock)

Me qëllim të përmirësimit të sistemit të arsimit, Qeveria e Kosovës ka marrë një kredi nga Banka Botërore në vlerë prej 11 milionë dollarësh. Për këtë vlerë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se tashmë kanë përgatitur projektet konkrete.

Azem Guri, këshilltar në këtë ministri, duke treguar për Radion Evropa e Lirë se cilat projekte do të financohen nga kjo kredi, thotë se kjo vlerë do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës së shkollave, rrjedhimisht rritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.

“Këto investime do të orientohen në zhvillim profesional, do të thotë në trajnime të mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave, në pajisjen e shkollave me mjete të konkretizuara, ose pajisja e shkollave me laborator dhe kabinete, të tilla që ndihmojnë në avancimin e cilësisë. Këto mjetet do t’u jepen shkollave në formë të granteve, do të thotë shkollat aplikojnë”, shpjegon Guri.

Kjo kredi nga Ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili njëherësh ka nënshkruar marrëveshjen me Bankën Botërore, konsiderohet e përballueshme për buxhetin e Kosovës, pasi, siç thotë ai, kushtet janë shumë të volitshme.

Kredia ka një periudhë mospagimi prej pesë vjetësh, kurse afat kthimi prej 20 vjetësh.

Ndryshe, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, sigurimin e cilësisë në arsim e ka shpallur si prioritet gjatë këtij viti.

Pikërisht për këtë arsye, përfaqësues të punonjësve të arsimit, theksojnë se këto mjete duhet të investohen në përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, thotë se këto mjete duhet të dedikohen në mjetet e nevojshme të punës dhe mos të keqpërdoren.

Së pari duhet të jemi të sigurt se keqpërdorime të mjeteve nuk do të ketë. Vetë ministri i Arsimit këtë vit e ka shpallur si vit të angazhimit për cilësi. Pra, unë dëshiroj që ato mjete të dedikohen pikërisht për kabinete të reja dhe kabinete të pajisura me mjete bashkëkohore, në mënyrë që shkollat në Kosovë të jenë shkolla të shekullit 21”, thotë Jasharaj.

Ndryshe, Azem Guri, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është i bindur se me këto investime do të rritet cilësia e arsimit.

“Faktikisht, mbi bazën e këtyre prioriteteve që ne kemi paraparë, gjithsesi do të ndikojë në avancimin e cilësisë në arsim, kur dihet se Ministria e Arsimit në planin qeverisës objektiv kryesor ka paraparë avancimin e cilësisë në arsim. Pra, ne këtë vit e kemi shpallur vit të sigurimit të cilësisë, do të thotë avancim për arsimim”, thekson Guri.

Cilësia e arsimit në Kosovë vazhdimisht është vlerësuar në nivel të ulët nga hulumtimet e bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare.

Përveç cilësisë së ulët në arsimin fillor dhe të mesëm, ekspertë të kësaj fushe kanë deklaruar se një gjendje e tillë ekziston edhe në institucionet universitare, duke vënë në pikëpyetje madje edhe vlerën e diplomës.

XS
SM
MD
LG