Ndërlidhjet

Ndërmarrjet e paprivatizuara do të tërheqin investitorë


Ndër asetet me rëndësi në tërheqjen e investitorëve vlerësohet edhe Hoteli Grand, në Prishtinë.
Ndër asetet me rëndësi në tërheqjen e investitorëve vlerësohet edhe Hoteli Grand, në Prishtinë.

Ndërmarrjet shoqërore në Kosovë, të cilat ende nuk janë privatizuar, konsiderohet se mund të sjellin investitorë shumë seriozë dhe të mëdhenj në vend.

Përfaqësues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, thonë se në bashkëpunim me autoritetet kompetente, do të arrijnë të bëjnë tërheqjen e këtyre investitorëve.

Zëvendësdrejtori menaxhues i AKP-së, Avni Jashari, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se për ndërmarrjet, të cilat ende nuk janë privatizuar, do të bëhet rishqyrtimi i procesit.

Jashari ka shtuar se ka ende ndërmarrje shoqërore, që nuk janë privatizuar e të cilat mund të tërheqin investitorë.

Minierat, ka shtuar Jashari, janë ato resurse, të cilat mund të sjellin investitorë në Kosovë.

“Trajtimi i minierave duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës. Janë minierat e Goleshit, minierat e Strezovcit, minierat e Boksiteve, trajtimi itë cilave gjatë procesit të privatizimit gjithsesi duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës, për shkak të strategjisë minerare që ka Kosova”.

“Pastaj asetete tjera që janë me rëndësi është Hoteli Grand në Prishtinë, njësia punuese ‘Damper’ në Suharekë, që ka një hapësirë shumë të madhe që mund të përdoret për vendosjen e makinerive ndryshme dhe mund të tërheqin investitorë”, ka theksuar Jashari.

Në anën tjetër, përfaqësues të investitorëve evropian vazhdimisht kanë potencuar se Kosovës i duhen investimet e huaja dhe se për këto investime autoritetet kompetente duhet të punojnë më shumë, duke përmirësuar ambientin e të bërit biznes në vend.

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, në një bisedë për Radion Evropa, ka theksuar se institucionet duhet të marrin hapa konkretë në zbatimin e ligjeve dhe përmirësimin e politikave fiskale.

“Aktualisht kemi ligje, të cilat janë ligje të mira dhe në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian, por ato nuk zbatohen. Pastaj kemi harmonizimin e ligjeve, i cili mungon, shpesh kemi ligje kontradiktore mes njëra-tjetrës dhe moszbatimi i këtyre ligjeve i dërgon investitorët e huaj në situata ku ata duhet të presin për të zgjedhur një çështje, dhe koha është shumë e gjatë”, ka theksuar Balija.

Në trajtimin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, Agjencia Kosovare e Privatizimit u ka dhënë një vëmendje të veçantë tokave bujqësore.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka rekomanduar që të përgatitet një strategji kombëtare për trajtimin e tokave bujqësore, gjatë procesit të privatizimit.

Zëvendësdrejtori menaxhues i AKP-së, Avni Jashari, ka treguar se deri më tani janë shitur mbi 28 mijë hektarë tokë dhe në këtë strategji, sipas tij, duhet të jepet një vlerësim se çka është bërë me ato toka, a janë shfrytëzuar ato toka për zhvillimin ekonomik, për bujqësi dhe a përdoren ende.

“Ideja ime ka qenë që në bashkëpunim me organet kompetente, Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, të përgatitet një strategji që tokat të adresohen në mënyrë që të sigurohet mirëqenia e gjeneratave të ardhshme”.

“Nuk ka logjikë që në situatat e ardhshme të procesit të privatizimit të shiten me qindra hektarë tokë, përderisa kërkohen investitorë në Kosovë dhe nuk kanë ku të investojnë, ose komunat e ndryshme nuk kanë vende për varreza,për ndërtimin e shkollave publike e të tjera”, ka shtuar Jashari.

Sipas tij, duhet të definohet në çfarë lloj sipërfaqe do të ishte në rregull të shiten këto toka edhe deri në çfarë sipërfaqe tokat nuk do të shiten në mënyrë që, siç është shprehur Jashari, të themelohet një fond i mirëbesimit të tokave bujqësore, kështu që ky aset i rëndësishëm për Kosovën të mbahet për mirëqenien e gjeneratave të reja.

Ndryshe, sipas të dhënave të Bankës Qendrorë të Kosovës, në vitin 2007 vlera e investimeve të huaja në Kosovë ishte rreth 450 milionë euro, kurse në vitin 2014 kjo shifër është jo më shumë se rreth 150 milionë euro.

Por, këto investime thuhet se kanë shënuar një rritje në vitin 2015. Deri në maj, investimet e huaja direkte arritën në 157.7 milionë euro.

XS
SM
MD
LG