Ndërlidhjet

Kerry: Lidhjet me Arabinë Saudite, më të forta se kurrë


Ministri i Jashtëm saudit Adel al-Jubeir (djathtas) dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.
Ministri i Jashtëm saudit Adel al-Jubeir (djathtas) dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se miqësia e SHBA-së me Arabinë Saudite, është më e fortë se kurrë dhe se dy vendet do të punojnë së bashku për t’iu dhënë fund luftërave në Siri dhe Jemen.

Kerry i ka bërë këto komente të dielën, në përfundim të vizitës në Riad.

Marrëdhënia midis SHBA-së dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, i cili përfshin edhe Arabinë Saudite, është e ndërtuar mbi “interesa të përbashkët” dhe “mbrojtje të përbashkët”, ka thënë Kerry.

Ai ka shtuar se nuk ka “asnjë dyshim” në mesin e vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit se SHBA-ja “do të qëndrojë me to kundër çdo kërcënimi të jashtëm” dhe se “do t’i mbrojë ato nëse është e nevojshme”.

Sipas tij, marrëveshja bërthamore me Iranin nuk ka ndryshuar asgjë në marrëdhëniet Uashington-Riad. Arabia Saudite, prej kohësh, e sheh Iranin si kërcënim rajonal.

Marrëveshja historike, e cila ka nisur të zbatohet një javë më parë, ka hequr sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit, pasi ky i fundit është pajtuar që të frenojë aktivitetin e tij bërthamor.

“Marrëveshja për të hequr qafe një armë bërthamore, nuk i ndikon çështjet e tjera me interes për ne. Ne do të vazhdojmë të punojmë në rajon me miqtë tanë dhe aleatët tanë”, është shprehur Kerry.

Ai ka thënë se ka diskutuar me zyrtarët sauditë mënyrat për t’iu dhënë fund luftimeve në Siri dhe “ide të reja” për të sjellë paqe në Jemen, ku qeveria e mbështetur nga Arabia Saudite është duke luftuar me rebelët shiitë, që gëzojnë mbështetjen e Iranit.

“Arabia Saudite është e përkushtuar për të punuar me ne në përpjekjet për të stabilizuar Sirinë dhe për të qetësuar ndarjet midis sunitëve dhe shiitëve”, ka thënë Kerry.

Arabia Saudite mbështet kryengritjen e dominuar nga sunitët në Siri, kundër presidentit Bashar al-Assad, i cili është një aleat i afërt i Iranit.

Të shtunën, Kerry ka shprehur besimin se bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara, për t’i dhënë fund konfliktit në Siri, do të mbahen javën e ardhshme në Zvicër, ashtu siç edhe është planifikuar.

Bisedimet pritet të nisin më 25 janar në Gjenevë, edhe pse data mbetet e pasigurt, për shkak të mosmarrëveshjeve se kush do të jetë pjesë e delegacionit që përfaqëson opozitën e Assadit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG