Ndërlidhjet

Rishkruhet Ligji për sigurime shëndetësore


Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se qysh në vitin 2004, Ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës. Por, deri tani ky ligj asnjëherë nuk është jetësuar. Ministri i ri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se tashmë ky ligj ka filluar të rishkruhet.


Ligji për sigurime shëndetësore ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës. Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, me të marrë këtë post, pati premtuar se ky ligj do të jetë një nga çështjet parësore që Ministria e ka vënë para vetes.

Tashmë disa ditë pas udhëheqjes së këtij institucioni nga ministri Agani, janë formuar grupet punuese që janë duke e rishkruar Ligjin për sigurime shëndetësore.

”Unë mendoj se tash ky ligj do të kalojë në Kuvend shumë shpejt, sepse do të reflektojë nevojat e domosdoshme të sektorit të shëndetësisë, do të jetë ligj i mbështetur në të dhëna shkencore, në përvoja të shteteve të tjera, si dhe në ndihmën e donatorëve”, bën të ditur Agani.

Sipas Aganit, dikasteri që ky udhëheq, do të synojë të themelojë një sistem të financimit të sektorit shëndetësor, i cili sistem nuk do të rrezikojë stabilitetin makrobuxhetor të vendit, por që do të mbështetet kryesisht në mobilizimin e kontributeve nga sektori joformal i punësimit.

”Po e ritheksoj se edhe nga Raport i Progresit të Bashkimit Evropian ka pasur vërejtje, sepse ky ligj kryesisht ka qenë i mbështetur në pagesën e kontributeve të të punësuarve në sektorin formal publik dhe privat dhe ne e dimë që është numër i vogël dhe unë pajtohem me atë vërejtje. Mendoj se zgjidhjet ligjore që do t’i gjejmë duke gjetur të hyra nga sektori joformal, do të mundësojnë një ndryshim të dukshëm të financimit të sektorit shëndetësor”, shpjegon Agani.

Ndërkaq, Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë se ky institucion do të jetë i inkuadruar në mënyrë aktive në procesin e rishikimit të Ligjit për sigurime shëndetësore.

”Mendoj se ky është një hap shumë i qëlluar, për arsye se financimi i qëndrueshëm është një parakusht i domosdoshëm për funksionalizimin e mirëfilltë të sistemit shëndetësor. Kuptohet që është një kornizë kohore ku grupet duhet të punojnë në mënyrë aktive në mënyrë që të kenë zbatim të plotë, duke e marrë parasysh se ky ligj disa herë është dërguar në Qeveri, por nuk është jetësuar”,
thotë Syla.

Ndërkaq, Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, që është pjesë e këtij grupi punues, thotë se ky Këshill do të jetë pjesë e këtij komisioni, duke u përqendruar në nenet për ndonjë shkelje eventuale të të drejtave të njeriut.

”Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut është pjesë e këtij ligji, në kuptimin mos ka ndonjë nen që i shkel të drejtat e njeriut. Ne edhe më herët kemi pasur vërejtje në këtë fushë dhe mendoj se edhe tash ato vërejtje do të aktualizohen dhe nuk do të lejojmë që të kalojë ndonjë nen që do t’i shkelte të drejtat e njeriut”, thekson Shala.

Ndërsa, Blerim Syla, nga Sindikata e Shëndetësisë, thotë se janë shumë optimistë se ky ligj shumë shpejt do të jetësohet:

”Ne e dimë që në të kaluarën është punuar, po kësaj radhe do të ecin gjërat më shpejt. Ne i dimë problematikat dhe implikimet buxhetore dhe jemi mjaft pragmatikë dhe nëse punët ecin kështu, unë jam shumë optimist. Unë kam caktuar afat kohore më herët, por tani shoh gatishmëri të grupeve punuese dhe me rëndësi është që këto ligje të jetësohen”.

Sidoqoftë, ministri Agani tashmë ka deklaruar se me rishkrimin e Ligjit të ri për sigurime shëndetësore, buxhetit të Kosovës ky ligj nuk do t’i kushtojë asnjë cent, duke gjetur alternativa tjera të financimit.
XS
SM
MD
LG