E premte, gusht 01, 2014 Kosova 09:48

Kronika

FËMIJËT QË PUNOJNË – TË EKSPOZUAR PËRBALLË RREZIQEVE TË NDRYSHME

NadieAhmeti

Kushtet e vështira socio-ekonomike dhe kureshtja për të zotëruar me para, kanë nxitur shumë fëmijë kosovarë që të bëjnë punë të ndryshme, duke rrezikuar edhe mirëqenien e tyre. Kështu thonë në Ditën Ndërkombëtare Kundër Punës dhe Shfrytëzimit të Fëmijëve, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave joqeveritare, që merren me të drejtat e fëmijëve. Instituti për Punë Sociale, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, tashmë ka bërë një hulumtim për fëmijët në punë, megjithëse të dhënat e sakta mbi numrin e tyre ende mungojnë. Mustafë Gara, drejtor i këtij instituti, tha se është vështirë të identifikohet numri i fëmijëve në punë, pasi sipas tij, të dhënat ndryshojnë nga dita në ditë dhe nga sezoni në sezon. Megjithatë, ai pohon se shumë fëmijë punojnë punë të rënda dhe të rrezikshme, të cilat pengojnë zhvillimin dhe shëndetin e tyre. “Fusha, ku punon numri më i madh i fëmijëve, është bujqësia dhe blegtoria. Ndërkaq, si punë të rënda, ne kemi gjetur ngarkimin dhe shkarkimin që bëjnë fëmijët, ndërsa si punë të rrezikshme kemi gjetur punët që bëjnë në hedhurina, punët që bëhen në depot me pesticide, punët që bëhen në pyll, punët që bëhen në ndërtimtari, hyrja lart në katet e shtëpive për të shërbyer”, theksoi zoti Gara. Afër 35 për qind e fëmijëve kosovarë jetojnë në varfëri dhe kjo është arsyeja kryesore, pse fëmijët janë të detyruar të punojnë punë që rrezikojnë shëndetin e tyre, thotë Arbena Kuriu, nga Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë. Problem tjetër në këtë kuadër, zonja Kuriu përmend edhe mosvetëdijesimin e shoqërisë kosovare lidhur me punën e fëmijëve. “Edhe pse ndonjëri nga prindërit është i punësuar, fëmija del në rrugë të punojë. Nganjëherë prindi nuk është i punësuar dhe e dërgon fëmijën në punë, me faktin që fëmijët nganjëherë fitojnë më shumë. Nganjëherë jemi dëshmitarë, se blejmë gjësende në rrugë nga fëmijët dhe japim lëmoshë. Dhe duhet të jemi të vetëdijshëm, se kjo lloj sjelljeje e inkurajon rritjen e punës”, pohoi zonja Kuriu. Keqpërdorimi i fëmijëve, në të shumtën e rasteve, bëhet nga pronarët e ndërmarrjeve private, thotë zoti Gara, për të shtuar se pronarët nuk e marrin parasysh moshën dhe me sa peshë mund të ngarkohen fëmijët deri në moshën 18 vjeç. “Sllovenia ka të caktuar 30 kg peshë që mund të bartë fëmija. Japonia e ka 32-35 kg për meshkuj dhe femra. Ndërkaq, ne për rrethanat e Kosovës, i kemi caktuar 10 kg për fëmijët e gjinisë femërore dhe 15 kg për meshkujt, sepse mundësia e mbrojtjes së fëmijëve të Sllovenisë dhe Japonisë është shumë më e madhe, ndërsa në Kosovë mundësia për t’i mbrojtur është shumë e vogël”, u shpreh zoti Gara. Ndryshe, e vetmja shpresë për përmirësimin e kushteve të fëmijëve në Kosovë, sipas zonjës Kuriu, nga UNICEF-i, mbetet zbutja e përgjithshme e varfërisë në Kosovë. “Duhet të merren masa afatgjate për të parandaluar punën e fëmijëve në Kosovë. Duhet të merren masa ekonomike, duhet të punohet në aspektin e zbutjes së varfërisë në Kosovë. Masat tjera janë: përmirësimi i kualitetit të arsimimit, përmirësimi i shërbimeve sociale shëndetësore”, ka thënë zonja Kuriu. Ministra për Punë dhe Mirëqenie Sociale, së bashku me pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës, vitin e kaluar, kanë bërë përpjekje që të largojnë fëmijët që punojnë në rrugë , por rezultatet në këtë drejtim kanë qenë të pakta.