E enjte, nëntor 27, 2014 Kosova 06:28

Kronika

TRAFIKIMI I QENIEVE NJERËZORE I PRANISHËM NË TËRË KOSOVËN

Nadie Ahmeti

Autoritetet thonë se trafikimi i qenieve njerëzore dhe shfrytëzimi i tyre për prostitucion vazhdimisht po rritet dhe është përhapur në tërë Kosovën. Sipas organizatave që merren me rehabilitimin e viktimave të trafikimit, është zvogëluar dukshëm numri i viktimave të huaja, ndërkaq është rritur numri i viktimave që vijnë nga Kosova. Zyrtarë në Organizatën Ndërkombëtare për Migrim, e cila bën rehabilitimin dhe riatdhesimin e viktimave ndërkombëtare dhe vendore, thonë se prej përfundimit të luftës e deri në muajin e kaluar kanë asistuar mbi 454 viktima të huaja dhe 96 viktima kosovare. Bekim Ajdini, zëdhënës në këtë organizatë, pohon se në vitin e kaluar është vërejtur rritje e numrit të viktimave vendore. “Numri i përgjithshëm është 92 viktima vendore. Në vitin 2001 kemi pasur 6 viktima, më 2002 -12 viktima, më 2003 -17 viktima, më 2004 -11 viktima, më 2005 -12 viktima dhe më 2006 - 30 viktima. Ndërkaq, në pesë muajt e parë të këtij viti kemi pasur 4 viktima”, ka bërë të ditur Ajdini. Ramadan Ahmeti, shef i sektorit të Shërbimit Policor të Kosovës, që merret me luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore, thotë se në tërë territorin e Kosovës ka lokacione të dyshimta për këtë veprimtari. Togeri Ahmeti pohon se vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ky shërbim ka identifikuar 19 viktima të trafikimit. “Prej tyre, 6 janë nga Shqipëria, 8 nga Kosova, 2 nga Moldavia, dhe 1 nga Maqedonia e 1 nga Serbia, por me nacionalitet shqiptar. Vitin e kaluar kanë qenë gjithsejtë 65 viktima të identifikuara dhe në vitin 2005 kanë qenë 55 viktima të trafikimit”, tha Ahmeti. Me qëllim të lehtësimit të punës së këtij sektori dhe mbrojtjen e viktimave nga publiku, togeri Ahmeti thotë se Shërbimi Policor i Kosovës në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP-në, në gjashtë komuna të ndryshme të Kosovës, tashmë kanë hapur dhoma për intervistimin e viktimave të trafikimit, promovimi i të cilave është bërë sot. Deri më tani, intervistimi i viktimave është bërë në zyra të ndryshme të SHPK-së. “Kur një ambient është më i mirë për të gjithë, kur intervistohet dhe kur bisedon, ai ndikon edhe në aspektin psikologjik të viktimës, që të qetësohet, të ketë kohë për të pushuar, të ketë mundësi të mendojë dhe të ketë mundësi për t’u shprehur pa ndonjë problem. Përderisa më herët ka qenë më vështirë, sepse ambientet kanë qenë të tilla, ku ne nuk kemi mundur t’i kufizojmë lëvizjet e njerëzve, personelit ose telefonatat”, ka thënë Ahmeti. Ai shtoi, se bazuar në intervistat e viktimave të trafikimit, ndër arsyet kryesore që ato i kanë shtyrë të jenë pre e trafikantëve, kanë qenë kushtet e vështira ekonomike. “Ka raste kur mashtrohen për martesë, ose mashtrohen për studime apo vizita turistike. Por, shumica prej tyre dëshirojnë të kenë një jetë më të mirë ekonomike”, tha Ahmeti. Pas arrestimit të viktimave të trafikimit nga Shërbimi Policor i Kosovës, fillon procesi i riintegrimit nga punëtorët e IOM-it, thotë Bekim Ajdini. Ai pohon se në disa raste, kjo organizatë i ndihmon viktimat edhe me mjete materiale, në mënyrë që t’i kthehen jetës normale. “Ndihmohen përmes përpilimit të planeve riintegruese, plane që nënkuptojnë gjenerim të të ardhurave, të cilat do t’u mundësojnë viktimave që të kenë disa të ardhura, që të fillojnë jetën e re”, pohoi Ajdini. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, nëse viktima bie një herë në kurthin e rrethit të trafikimit, për të është shumë e vështirë të kontrollojë këtë proces. Gjërat personale, pasaporta dhe paratë u konfiskohen, kurse viktima është nën presion të vazhdueshëm fizik dhe psikik.