E shtunë, dhjetor 20, 2014 Kosova 08:57

Kronika

BRAKTISJA E SHKOLLËS – SHQETËSIM PËR INSTITUCIONET

Nadie Ahmeti

Braktisja e shkollës nga nxënësit vazhdon të mbetet çështje shqetësuese si për institucionet përkatëse, ashtu edhe për organizatat joqeveritare që merren me të drejtat e fëmijëve. Vetëm në vitin 2004, afër 4 mijë nxënës kanë braktisur bankat shkollore, thotë Ali Bajgora, udhëheqës i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve. Sipas tij, prej vitit 2001 e deri në vitin 2004, rreth 20 mijë nxënës kanë hequr dorë nga shkolla. “Kjo është një çështje mjaft shqetësuese, për faktin se vërehet një prezencë jo e vogël e dy çështjeve shumë madhore që kanë të bëjnë me arsimin - çështja e parë që ka të bëjë me mosfillimin e vijimit të shkollimit të fëmijëve në Kosovë dhe çështja e dytë që ka të bëjë me braktisjen e shkollës nga fëmijët”, thotë Bajgora. Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërkaq thonë se të dhënat që flasin për braktisjen e shkollës në Kosovë janë nën nivelin e vendeve tjera të rajonit. Fevzi Berisha, zëvendësministër i Arsimit, pohon se braktisja e shkollës nga nxënësit në Kosovë arrin deri në 2 për qind në vit. “Prej nivelit shkollor, në nivelin më të ulët në arsimin fillor braktisja është më e vogël, ndërkaq në arsimin e mesëm braktisja është më e madhe. Por, edhe në bazë të statistikave që posedojmë ne, është karakteristikë se braktisja e shkollës nga meshkujt në shkollën fillore është më e madhe, ndërkaq braktisja e femrave është më e vogël. Kështu që ka ndryshuar ky raport i braktisjes”, pohon Berisha. Megjithatë, ai thotë se Ministria e Arsimit po bën përpjekje të vazhdueshme që kjo dukuri të zvogëlohet në një masë edhe më të madhe. “Ne kemi bërë aktivitete gjatë viteve paraprake, në mënyrë që kjo dukuri në tërësi të eliminohet, por edhe të zvogëlohet në një masë të caktuar. Është java e mësimit për të gjithë, ku zhvillojmë aktivitete në mënyrë që t’i sensibilizojmë të gjithë, edhe organet shtetërore, por edhe prindërit dhe fëmijët, që të ndikojnë në atë që të mos ketë braktisje të fëmijëve nga shkolla”, shprehet Berisha. Por, Ali Bajgora, nga Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, thotë se eliminimi i fenomenit të braktisjes së shkollës duhet të jetë prioritet i të gjitha institucioneve dhe i shoqërisë në Kosovë. “Jam shumë ithtar i asaj që masat preventive do të duhej të ishin në aspektin prioritar; gjithsesi rëndësia e tyre do të ishte më e madhe, sesa e masave të dyta. Por, do të duhej të kombinoheshin këto masa varësisht nga rasti, nga situata, nga nevoja dhe nga kategoria përfituese”, thekson Bajgora. Ndryshe, varfëria është një nga faktorët kryesorë që shtyn nxënësit të braktisin shkollimin. Zoti Berisha, nga Ministria e Arsimit, thotë se për këtë arsye, ky fenomen është më shumë i pranishëm në zonat rurale, ku gjendja ekonomike është më e rëndë. “Kemi çështjen ekonomike - nëse organizohemi më mirë, nëse angazhohemi që të gjithë më mirë, sidomos shoqëria, siç është në rastin e shpërndarjes së teksteve falas, mendoj se kjo dukuri do të eliminohej”, thotë Berisha. Por, Ali Bajgora thotë se gjendja ekonomike nuk është faktori kryesor. Sipas tij, është niveli jo i lartë i vetëdijesimit të qytetarëve për rëndësinë e shkollimit dhe angazhimi jo i mjaftueshëm i institucioneve vendore në këtë drejtim. “Në të shumtën e rasteve ka opinione se ata kanë të bëjnë vetëm me faktorët ekonomiko-social, çka unë mendoj se nuk është e drejtë. Ndoshta çështja e tretë, si pasojë e një situate të përgjithshme në Kosovë, ka mbetur në radhë të dytë”, shprehet Bajgora. Sidoqoftë, sipas Ministrisë së Arsimit, këtë vit, procesin mësimor e kanë filluar më shumë se 400 mijë nxënës, por ende nuk ka të dhëna se sa është numri i atyre që kanë hequr dorë nga mësimi. Madje, në mungesë të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë, nuk dihet as numri i atyre fëmijëve që nuk kanë shkuar fare në shkollë.