Ndërlidhjet

UNDP: PËRMIRËSIM NË MARRËDHËNIET NDËRETNIKE, PAPUNËSIA PROBLEMI KRYESOR NË MAQEDONI


Isuf Kadriu, Shkup

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara ka prezantuar Raportin për Paralajmërim të Hershëm në Maqedoni. Raporti është përqëndruar në katër sfera: në stabilitetin politik dhe institucional, sigurinë personale dhe publike, marrëdhëniet ndëretnike dhe gjendjen socioekonomike.
Sipas këtij hulumtimi, probleme më të mëdha në Maqedoni mbeten papunësia, varfëria dhe korrupsioni. 60 përqind e të anketuarve, thonë se Maqedonia po shkon në drejtim të gabuar.
"Thuajse 70 përqind e të anketuarve thonë se papunësia është problemi më i madh. Ndërsa 50 përqind frikësohen se do të humbin vendin e tyre të punës", tha Maria Luis Silvia Mejia, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Maqedoni.
Në këtë drejtimm, Abdyl Menaf Bexheti, autor i pjesës së raportit për gjendjen socioekonomike, thotë:
Dukshëm është që çështja e papunësisë është gjithnjë në rritje e sipër, edhe përkundër statistikave zyrtare makroekonomike, të cilat megjithatë tregojnë se përfunduam vitin 2005 me një zvogëlim relativisht të vogël, megjithatë me një zvogëlim të numrit të të papunëve prej 31 mijë të papunësuarish, që mund të jetë më shumë rezultat i spastrimeve të evidencave, sesa i një realiteti ekonomik në vend."
Nga ana tjetër Ferid Muhiç, anëtar i pjesës së raportit që ka të bëjë me raportet ndëretnike, thotë se për dallim nga e kaluara vërehet trend pozitiv i përmirësimit të raporteve ndëretnike.
"Prej 70 deri 80 përqind e shqiptarëve dhe maqedonasve, konsiderojnë se raportet ndëretnike janë të mira dhe se të njëjtat shkojnë duke u përmirësuar. Ndërsa sa i përket tolerancës, dy bashkësitë më të mëdha etnike në Maqedoni, kanë qëndrime pothuajse diametralisht të kundërta", thotë Ferid Muhiç.
"Mund të thuhet se tek maqedonasit vërehet tolerancë shumë e vogël sa i përket të drejtave të bashkësive të tjera, siç është dhe përdorimi i gjuhës shqipe. Ndërsa sa i përket shqiptarëve, tek ata ekziston tolerancë shumë më e madhe", tha Ferid Muhiç, duke shtuar se befasues është fakti se maqedonasit shumë pak janë të gatshëm të përdorin dhunën, për ndërrimin e sistemit politik, apo për mbrojtjen e jetës dhe të pronës së tyre. Ndërkohë që sipas tij tek shqiptarët, kjo gatishmëri është shumë më e lartë.
XS
SM
MD
LG