E premte, tetor 31, 2014 Kosova 05:50

Aktuale

Kuvendi kërkon qartësi në dialog me Serbinë

Ligjvënësit kosovarë, foto nga arkivi
Ligjvënësit kosovarë, foto nga arkivi

Artikujt e ndërlidhur

Fondi i veçantë për veriun, përtej Planit të Ahtisaarit?

Njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Kosovë, vlerësojnë se fondi i veçantë për veriun e vendit, që do të dilte nga taksat e doganave në vendkalimet kufitare në veri, do të jetë kundërkushtetues dhe jashtë dokumentit gjithëpërfshirës të Ahtisarit, nëse ai nuk kalon nëpër buxhetin e Kosovës.
Me fillimin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë shënuar përparime të theksuara në vendosjen e raporteve normale ndërshtetërore dhe largimin e pengesave dhe ndërhyrjeve ilegale nga ana e Serbisë në Kosovë.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën plenare të enjten, ku ka informuar deputetët për takimin e fundit në Bruksel, që e ka zhvilluar me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq.

Shefi i ekzekutivit kosovar, tha se fillimi i implementimi të marrëveshjes së IBM-së shënon njohjen e Kosovës nga Serbia në fushën e doganave.

Kryeministri Thaçi u ka shpjeguar deputetëve se gjatë implementimit të marrëveshjes për doganat do të ruhet sistemi unik doganor i Kosovës.

Kemi arrit marrëveshjen në fushën e doganave sipas së cilës vendoset rendi dhe ligji në këtë fushë sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sistemit unik doganor të Kosovës. Kemi prezantuar angazhimet tona si qeveri për përmirësimin e gjendjes ekonomiko-sociale të qytetarëve tanë në veri të vendit. Pra, në pikat një dhe 31, dogana, akciza dhe TVSH-ja, do të mblidhet sipas ligjeve të Kosovës dhe të derdhen fillimisht në thesarin e shtetit", tha Thaçi.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka shpjeguar edhe për mënyrën e menaxhimit të parave për Fondin Zhvillimor të Veriut.

Sipas tij, pas hyrjes se këtyre mjeteve në thesarin e vendit, përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë do të hapë një xhirollogari në njërën prej bankave të vendit, ku do të menaxhohen ato mjete për zhvillimin dhe investimet në veri.

Sipas kreut të qeverisë, me marrëveshjen e doganave, në fushën tregtare është bërë normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy shteteve, sipas kritereve të Bashkimit Evropian.

Në aspektin politik me këtë marrëveshje, Serbia ka njohur definitivisht Republikën e Kosovës në fushën e doganave”, tha Thaçi, për të shtuar se marrëveshja parasheh zhbërjen e strukturave paralele në fushën e doganave, gjë që siç tha ai, mundëson ndaljen e kontrabandës në vendkalimet kufitare në veri, si dhe ruhet konkurrenca e lirë.

Nga ana tjetër, deputetja Vjosa Osmani nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se që çdo veprim i institucioneve të vendit, në bisedimet  me Serbinë, duhet të jetë në përputhje me rezolutën e Kuvendit.

Osmani ka deklaruar se LDK është në gjendje të pranojë një fond për veriun e vendit, vetëm nëse nuk preket sistemi unitar i doganave.

LDK-ja, tha Osmani, kërkon që çdo marrëveshje e arritur në dialog duhet të ratifikohet në Kuvend para se të fillojë zbatimi i tyre.

Përderisa para pak ditësh është thënë se kjo marrëveshje ende nuk është finalizuar, sot po thuhet se implementimi i saj është duke u diskutuar. Ju lutem ta sqaroni këtë gjë. Është me rëndësi që Kuvendi ta shohë një në letër një marrëveshje të tillë në mënyrë që të bëhen analiza të duhura dhe jo të dëgjojmë interpretime diametralisht të kundërta”, tha Osmani.

Kurse, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, ka përsëritur se dialogu me Serbinë që nga fillimi ka filluar në mënyrë jo të duhur dhe pa asnjë kushtëzim. Sipas tij, dialogu po shkon në favor të integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Për të ndryshuar kjo Serbi aktuale, duhet një pako e qartë kushtesh dhe sanksionesh. Përndryshe me këtë politikë të koncesioneve ndaj Serbisë, duke e marrë atë me të mirë, ajo po e mban veriun dhe strukturat e saj atje, po e vazhdon spastrimin etnik të Luginës së Preshevës dhe gjitha këto po i arrinë pa u sfiduar seriozisht rruga e saj drejt BE-së”, tha Konjufca.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, deklaroi se marrëveshjet e deritanishme, janë në harmoni me rezolutën e Kuvendit për dialogun dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Do të vazhdojmë ta ndjekim në kujdes këtë dialog. Do të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm që çdo arritje të jetë në interes të Kosovës dhe popullit”, tha Gjini.

Sido që të jetë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se në asnjë mënyrë pala kosovare nuk do të pranojë që në tavolinën e bisedimeve të shtrohen çështjet që prekin në sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum