E premte, nëntor 21, 2014 Kosova 21:12

Lajmet

“Serbia s’ka qeveri në Kosovë, por as Kosova në veri”

IlustrimIlustrim
x
Ilustrim
Ilustrim
Qeveria e Serbisë është duke bërë përpjekje që të sigurojë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian sa më parë që të jetë e mundur, ka thënë zëvendëskryeministrja serbe, Suzana Grubjeshiq.

Duke folur për mediat serbe, ajo ka thënë se kusht për këtë nuk është njohja e Kosovës, por “përparimi i qëndrueshëm në bisedimet me Prishtinën”.

Marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen, ndërsa më e kërkuara është Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ka deklaruar Grubjeshiq për “Veçernje Novosti”.

Marrëveshja në fjalë është arritur në muajin shkurt, gjatë bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Grubjeshiq ka thënë se është e vërtetë që shteti i Serbisë nuk ka qeveri faktike në Kosovë që nga viti 1999, por, sipas saj, “as Prishtina nuk ka autoritet në veri të Kosovës”.

“Në këtë fakt ka hapësirë për marrëveshje dhe për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për Kosovën”, ka thënë Grubjeshiq.

Komentet e saj pasojnë takimin e së mërkurës në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, nën praninë e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

Në takim është folur edhe për pjesën veriore të Kosovë, ku veprojnë struktura paralele serbe, të financuara nga Beogradi.

Kryeministri Thaçi është zotuar se zgjidhja për këtë pjesë do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.