Ndërlidhjet

Jahjaga: Dialogu, mënyra e vetme për normalizim


Presidentja Atifete Jahjaga
Presidentja Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se Kosova është e përkushtuar për dialog me Serbinë, si mënyra e vetme për normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve.

“Kjo rrugë nuk ka alternativë. Ne besojmë që koha e hegjemonizmit dhe e imponimit të koncepteve politike nëpërmjet dhunës tashmë përgjithmonë ka përfunduar. Vetëm duke qenë të lirë dhe të barabartë mund të ecim bashkërisht përpara”, ka thënë Jahjaga.

Presidentja i ka bërë këto komente në Prishtinë, në hapje të konferencës ndërkombëtare “Gërmia Hill”, të organizuar nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Ministria e Jashtme e Kosovës.

Jahjaga ka thënë se rajoni ka një rast të papërsëritshëm që të bashkohet rreth përmbushjes së qëllimeve të përbashkëta, duke e ndihmuar njëri-tjetrin dhe jo duke e penguar.

Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet për çështje teknike në mars të vitit të kaluar. Ato janë ndërprerë pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi në muajin maj, për t’u pasuar me takime ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, nën praninë edhe të kryediplomates evropiane, Catherine Ashton.
XS
SM
MD
LG