E dielë, nëntor 23, 2014 Kosova 21:54

Lajmet

Nikolliq: Vendim politik për ish-gjeneralët kroatë

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq - foto arkiviPresidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq - foto arkivi
x
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq - foto arkivi
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq - foto arkivi
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se vendimi i Tribunalit të Hagës për lirimin e ish-gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç, nuk është i drejtë. Sipas tij, ai është një vendim politik dhe nuk do t’i kontribuojë stabilizimit të situatës në rajon.

“Presidenti Nikolliq, me rastin e vendimit skandaloz të Dhomës së Apelit të Tribunalit të Hagës për lirimin e Ante Gotovonës dhe Mlladen Markaçit nga akuza për dëbim të banorëve serbë nga Krajina më 1995, konsideron se Tribunali i Hagës ka sjellë vendim politik dhe jo ligjor”, thuhet në kumtesën që ka lëshuar Presidenca serbe.

“Vendimi i sotëm i Tribunalit të Hagës nuk do t’i kontribuojë stabilizimit të situatës në rajon dhe do të hapë plagë të reja”, ka thënë Nikolliq.

Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës ka liruar sot nga akuzat Gotovinën dhe Markaçin, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Në fillim të leximit të vendimit përfundimtar, Dhoma e Apelit ka thënë se nuk ka asnjë dëshmi për angazhim të përbashkët kriminal, me qëllim largimin e popullatës civile nga Krajina - territor kroat - me anë të përdorimit të forcës.

Anëtari i tretë i ‘treshes kroate’, Ivan Çermak, është liruar nga përgjegjësitë qysh në vitin e kaluar.

Gotovina gjendej në paraburgim në Sheveningen, që nga viti 2005, kur është arrestuar në Spanjë, ndërsa Markaç nga viti 2004, kur është dorëzuar vullnetarisht.

Të tre ata akuzoheshin për vrasje, dëbime dhe persekutim të serbëve gjatë fushatës ushtarake në fund të luftës së viteve 1991 - 1995 në Kroaci.

Në operacionin “Stuhia”, të zhvilluar në vitin 1995, janë vrarë mbi 300 serbë dhe 200 mijë të tjerë janë larguar nga Krajina. Kjo zonë nga viti 1991 ishte nën kontrollin e rebelëve serbë.