Ndërlidhjet

Deponohen ankesat për rastin “Kleçka”


Fatmir Limaj
Fatmir Limaj
Pasi që Gjykata Supreme e Kosovës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për deputetin Fatmir Limaj dhe tre të akuzuar të tjerë në rastin “Kleçka”, avokatët e tyre kanë dorëzuar sot ankesën kundër vendimit të gjykatës.

Avokati, Mahmut Halimi, i cili mbron të akuzuarin Nexhmi Krasniqi, ka thënë se ankesa i është dorëzuar Gjykatës Supreme dhe pret që kolegji i gjykatës të vendosë në lidhje me të.

Halimi ka thënë se ligjshmëria e aktvendimit, me të cilin është vendosur për paraburgimin, është më një pikëpyetje të madhe.

“Ajo që është shumë shqetësuese, është se ky rast është marrë me një shpejtësi marramendëse ne veprim. Është komunikuar vendimi dhe është lëshuar urdhëresa për arrest. Gjyqtari nuk e ka vendimin e Gjykatës Supreme, nuk e ka formën e shkruar, nuk e ka asnjë fletë të shkresave të lëndës. Kjo të shtyn në dyshimin se kjo sjellje e organeve gjyqësore të EULEX-it dhe prokurorisë janë të ndikuara jashtëzakonisht rëndë dhe në mënyrën më të pajustifikuar politikisht”, ka thënë Halimi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe avokati Bajram Tmava, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka konfirmuar se në Gjykatën Supreme ka deponuar ankesën për klientin e tij, Naser Shala.

Për këtë rast, Limaj dhe të tjerët janë shpallur të pafajshëm gjatë një procesi paraprak gjyqësor, por ka qenë EULEX-i më pas që ka kërkuar rikthimin e gjykimit në Gjykatën Supreme.

Rihapjen e procesit, EULEX-i e ka mbështetur në dëshmitë nga ditari i të cilësuarit si “Dëshmitarit X”, (tashmë i ndjeri Agim Zogaj).

Fatmir Limaj ngarkohet si i akuzuari kryesor i këtij rasti. Ai ka qenë një nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
XS
SM
MD
LG