Ndërlidhjet

Zhbogar: EULEX-i nuk është i motivuar politikisht


Samuel Zhbogar
Samuel Zhbogar
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka thënë se e kupton ndjeshmërinë dhe emocionet lidhur me rastin e fundit të EULEX-it, por ka kërkuar nga politikanët dhe institucionet politike, që, për çështje parimore, t’iu shmangen komentimeve për rastet që vazhdojnë.

Deklaratat e tij pasojnë reagimet e disa udhëheqësve kosovarë në lidhje me paraburgimin e deputetit Fatmir Limaj dhe tre të akuzuarve të tjerë në rastin Kleçka.

“Parim themelor i çdo shoqërie moderne, demokratike është mosndërhyrja në proces gjyqësor. Gjykatësit veprojnë në mënyrë të pavarur, prokurorët veprojnë në mënyrë autonome dhe të akuzuarit janë të pafajshëm derisa të dëshmohet fajësia e tyre. Vendimet e prokurorëve dhe gjykatësve të EULEX-it kurrë nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë të motivuara politikisht”, thuhet në deklaratën e Zhbogarit.

Limaj dhe të tjerët janë shpallur të pafajshëm gjatë një procesi paraprak gjyqësor, por ka qenë EULEX-i më pas që ka kërkuar rikthimin e gjykimit në Gjykatën Supreme.

Rihapjen e procesit, EULEX-i e ka mbështetur në dëshmitë nga ditari i të cilësuarit si “Dëshmitarit X”, (tashmë i ndjeri Agim Zogaj).

Fatmir Limaj ngarkohet si i akuzuari kryesor i këtij rasti.
XS
SM
MD
LG