Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka qëndruar sot në Gjeorgji.
Ashton ka zhvilluar bisedime me presidentin Mikheil Saakashvili dhe kryeministrin Bidzina Ivanishvili.
Kjo ka qenë vizita e parë e Ashtonit në Tbilisi që prej zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar, të cilat kanë sjellë në pushtet koalicionin e Ivanishvilit.
Kryediplomatja evropiane ka thënë se u ka bërë thirrje Saakashvilit dhe Ivanishvlit – të cilët përfaqësojnë forca rivale politike – që të vazhdojnë të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në qeverisjen e mirë të Gjeorgjisë.
Ashton po ashtu ka theksuar se nuk duhet të ketë ndëshkime për rivalët politikë.
Ajo do të vazhdojë turneun në tre shtete të Azisë Qendrore.