Ndërlidhjet

Paratë nga Jarina e Bërnjaku për komunat veriore?


Mitrovice, foto nga arkivi
Mitrovice, foto nga arkivi
Një ditë para takimit në mes të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, mediat serbe njoftojnë se Beogradi kërkon që paratë e mbledhura nga pikat doganore në vendkalimet kufitare mes Kosovës e Serbisë të dërgohen në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

“Të ardhurat nga doganat në Jarinë dhe në Bërnjak nuk do të shkojnë në buxhetin e Prishtinës, por në një llogari të veçantë, nga e cila më pas do t’iu dërgohen komunave serbe në veri të Kosovës, ndërsa doganieret kosovarë atje do të jenë vetëm vëzhgues”, shkruan Novosti.

Këtë gjë, sipas Novostit, pala serbe do ta propozojë sot, në dialogun teknik që zhvillohet në prag të takimit mes dy kryeministrave.

Ndërkohë, shefi i ekipit serb në dialogun teknik, Dejan Paviçeviq, ka thënë se protokoli teknik mbi marrëveshjet nuk mund të ndryshojë, edhe pse një gjë e tillë po kërkohet me ngulm nga serbët e veriut të Kosovës.

“Do të mundohemi që kërkesat e njerëzve tanë t’i përfshijmë në dokumentet, që do ta përcjellin zbatimin e IBM-së. Në këtë po punojmë në mënyrë intensive dhe shpresoj se do kemi sukses”, tha Paviçeviq.

Përveç doganave, serbët e veriut të Kosovës kundërshtojnë edhe dokumentet e Kosovës si dhe tabelat e automjeteve, për të cilat çështje janë arritur marrëveshje në Bruksel.

Sipas mediave serbe, liderët e serbëve, sërish do të takohen me presidentin serb, Tomisllav Nikolliq të martën, për t’u njoftuar në lidhje me marrëveshjet.

Serbët kanë kërcënuar se do të vendosin sërish barrikadat, nëse nuk përmbushet kërkesat e tyre.

Kosova e Serbia në dialogun teknik kanë arritur deri më tash 7 marrëvehsje, zbatimi i të cilave ka shënuar ngecje.
XS
SM
MD
LG