Ndërlidhjet

Haradinaj do zhvillojë bisedime për postin e kryeministrit


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj
Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte në javën e kaluar, Ramush Haradinaj, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters, se pret që të bëhet kryeministër, veprim ky që sipas agjencisë, ka të ngjarë që ta zemërojë Serbinë, në kohën kur Bashkimi Evropian po i shtyen dy vendet që të normalizojnë marrëdhëniet.

Haradinaj, që ka shërbyer shkurt si kryeministër, në vitin 2005, i tha Reutersit, se brenda disa ditëve do të nisë bisedimet me kryeministrin Hashim Thaçi, që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia opozitare që ai e drejton, t’i bashkohet qeverisë.

Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj, janë liruar si të pafajshëm nga akuzat për “trajtim mizor, torturimin dhe vrasjen e të burgosurve” në atë që quhet kampi ushtarak i Jabllanicës në periudhën 1 mars - 30 shtator të 1998-ës, që sipas agjencisë ka shkaktuar zemërimin e Beogradit.

Një zyrtar i lartë në Partinë Demokratike të Kosovës, i ka konfirmuar Reutersit se partia është duke e shqyrtuar një “partneritet” me Haradinajn për të mbështetur shumicën e lëkundshme të parlamentit.

Reuters shkruan për spekulimet e dendura në mediat e Kosovës, se Thaçi do ta braktisë postin e kryeminstrit në këmbim të atij të presidentit, një post që më shumë është ceremonial, por që do t’ia bënte atij të mundur konsolidimin dhe marrjen e mbështetjes.

“Qëllimi im është që të marrë përgjegjësi primare për vendin, të marrë përgjegjësi qeverisjeje dhe mundësi për të punuar në ndryshimin e situatës në vend”, ka thënë Haradinaj.

Agjencia shkruan se zgjedhjet nuk do mbahen deri në fund të 2014-ës, por sipas anlistëve nuk është e qartë nëse koalicioni mund të mbijetojë deri atëherë.

Duke komentuar bisedimet mes Kosovës e Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, në Bruksel, Reuters shkruan se zëvendësimi eventual i Thaçit nga ana e Hardinajt në tryezën e bisedimeve, mund ta largojë Daçiqin nga bërja e koncesioneve.

Haradinaj ka thënë se është i gatshëm ta takojë Daçiqin, ish zëdhënësin gjuhë-mprehtë të Miosheviqit, gjatë kohës së rënies së përgjakshme të Jugosllavisë dhe ndërhyrjes brutale në Kosovë, gjatë së cilës u dëbuan një milionë shqiptarë.

“E marr përgjegjësinë për ta qeverisur vendin”, ka thënë Haradinaj.

“Që nga ajo ditë, unë marr edhe të gjitha përgjegësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv”, ka thënë ai.
XS
SM
MD
LG