Ndërlidhjet

KQPZH: Mijëra familje të Kosovës – në ankth


Familjet e personave të pagjetur në Kosovë i marrin fotografitë e të dashurve të tyre nga rethoja e Kuvendit të Kosovës
Familjet e personave të pagjetur në Kosovë i marrin fotografitë e të dashurve të tyre nga rethoja e Kuvendit të Kosovës
Në Ditën e të Drejtave të Njeriut, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZH) thotë se edhe këtë vit “mijëra familje kosovare vazhdojnë të mbeten në ankth, duke mos ditur për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre, të zhdukur pikërisht si pasojë e shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut”.

Mëtutje, ky komision, me anë të një njoftimi për media, shpjegon se “nga numri fillestar prej 6,024 personave të evidentuar si të zhdukur, që nga paslufta, ky numër sot është 1,762. Pavarësisht faktit se më shumë se gjysma e këtyre rasteve tashmë janë zgjidhur, numri prej 1,762 personave ende të zhdukur, vazhdon të përbëjë një shqetësim serioz si për familjet e tyre, ashtu edhe për institucionet e Republikës së Kosovës”.

Në këtë ditë, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, gjegjësisht Qeveria e Republikës së Kosovës, “iu bënë thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare që të përdorin autoritetin e tyre karshi Beogradit zyrtar që të japë informacione dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështje të ndjeshme dhe të dhimbshme”.

Mëtutje, KQPZH thotë se mbarë bota shënon Ditën e të Drejtave të Njeriut, si përkujtim për të gjitha institucionet, shoqëritë dhe individët, se cenimi i të drejtave të njeriut vazhdon të mbetet një shqetësim serioz për të gjitha shoqëritë moderne.
XS
SM
MD
LG