Ndërlidhjet

Siri: Nga shpërthimet në Damask – katër të vrarë


Shkatërrimet nga shpërthimet në Ministrinë e brendshme të Sirisë
Shkatërrimet nga shpërthimet në Ministrinë e brendshme të Sirisë
Tri shpërthime e kanë tronditur hyrjen e Ministrisë së brendshme të Sirisë në Damask, derisa luftimet ndërmjet kryengritësve dhe forcave qeveritare po i afrohen kryeqytetit.

Së paku katër vetë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën nga këto shpërthime, që ndodhën mbrëmë.

Këto shpërthime u bënë në kohën kur zyrtarët e 120 vendeve, që po takohen në Marok, e kanë njohur opozitën e re të Sirisë si përfaqësuese legjitime të popullit në Siri, duke thënë se presidenti Bashar al-Assad, e ka humbur legjitimitetin.

Ky vendim në takimin “Miqtë e Sirisë” në Marok, u bë një ditë pasi presidenti amerikan, Barack Obama, e ka njohur Koalicionin Kombëtar si përfaqësues legjitim të popullit të Sirisë.

Por kjo njohje, ka hasur në kritika nga ana e ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Prej zhvillimeve të tjera lidhur me Sirinë, veçojmë poretendimet e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s, se forcat e presidentit Assad kanë hedhur raketa Scud kundër kryengritësve.

Shtëpia e Bardhë tha se përdorimi i raketave të këtilla do të ishte “akt i paarsyeshëm”.
XS
SM
MD
LG