E martë, shtator 02, 2014 Kosova 08:42

Lajmet

Kosovë: Viti i Ri - kryesisht i qetë, me disa incidente

x
Nata e ndërrimit të motmoteve në Kosovë ka kaluar kryesisht e qetë, por me disa incidente, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, thotë se ka pasur edhe lëndime, që kryesisht ndërlidhne me përdorimin joadekuat të mjeteve piroteknike.

“Situata në përgjithësi në gjithë Kosovën ka qenë e qetë, me përjashtim të disa incidenteve të raportuara në Policinë e Kosovës. Incidentet, të cilat janë raportuar, janë kryesisht raste që kanë të bëjnë me lëndime të lehta trupore, si pasojë e përdorimit joadekuat të mjeteve piroteknike. Një rast ishte incident i zjarrit dhe disa raste ishin dëmtim i pronës, që ndërlidhen, poashtu, me përdorim joadekut të mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit”, tha Baki Kelani.

Mëtutje, duke i rrumbullaksuar rastet e incideneteve gjatë natës së pritjes së Vitit të Ri në Kosovë, zoti Kelani i tha Radios Evropa e Lirë, se një person i moshës 26 vjecare, ka humbur jetën gjatë natës së mbrëmshme si pasojë e një incidenti me zjarr në një shtëpi në Ferizaj, por ky rast, sipas tij, po hetohet dhe nuk mund të ndërlidhet me rastet e Vitit të Ri.

“Mund të them se në përgjithësi janë raportuar 10 raste me tetë persona të lënduar, dhe një rast me incident të zjarrit, ku ka humbur jetën një person. Ky rast është duke u hetuar nga policia dhe nuk mund të ndërlidhet me rastet e festës së Vitit të Ri, përderisa të bëhen të ditur shkaktarët kryesorë të këtij rasti”, tha Baki Kelani.

Zëdhënësi Kelani thotë se krahasuar me një vit më parë, nata e mbrëmshme, duke u bazuar në raportimet në polici, ka kaluar me më pak incidente, se para një viti.