E enjte, tetor 23, 2014 Kosova 07:09

Lajmet

SHBA: Obama e dha betimin për mandatin e dytë presidencial

Barack ObamaBarack Obama
x
Barack Obama
Barack Obama
Barack Obama sot e ka dhënë betimin për mandatin e tij të dytë në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Betimi ishte i kufizuar në një ceremoni private në Shtëpinë e Bardhë.

Betimi u dha para kryesuesit të Gjykatës Supreme, John Roberts.

“Unë, Barack Hussein Obama, solemnisht betohem se me besnikëri do të shërbej në Zyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe do të bëjë çdo gjë të mundshme në aftësitë e mia, që ta ruajë dhe ta mbrojë Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Pra, të më ndihmoj Zoti”, tha Barack Obama, gjatë betimit të tij.

Sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, betimi formal duhet të bëhet më 20 Janar. Meqë sot është e diel, u veprua në këtë mënyrë, ndërsa betimin publik, Barack Obama do ta bëjë nesër jashtë ndërtesës së Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Në këtë ceremoni publike pritet të marrin pjesë afro 800 mijë njerëz.

Sot më herët gjatë ditës, zëvendëspresidenti Joe Biden, poashtu e ka dhënë betimin, për mandatin e tij të dytë. Zoti Biden, 70 vjeçar, e ka dhënë betimin para gjyqtares së Gjykatës Supreme, Sonia Sotomayor, gjatë një ceremonie private në rezidencën e tij në Uashington.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka filluar inaugurimin e tij të fundjavës, duke e udhëhequr “Ditën Kombëtare të Shërbimit”, që i inkurajon amerikanët të angazhohen në punë vullnetare.