E shtunë, tetor 25, 2014 Kosova 22:37

Lajmet

Thaçi takim me Quintin, akuzon Daçiqin

Ivica Dacic dhe Hashim ThaçiIvica Dacic dhe Hashim Thaçi
x
Ivica Dacic dhe Hashim Thaçi
Ivica Dacic dhe Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një takim me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, me ambasadorët e shteteve të Kuintit dhe me përfaqësues tjerë ndërkombëtarë në Kosovë, ka theksuar se të gjitha përparimet e arritura pas takimit të fundit mes tij dhe kryeministrit serb, Ivica Daçiq në Bruksel kanë rënë në hije, pas ngjarjeve që pasuan heqjen e monumentit të UÇPMB-së, në Preshevë.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga zyra e tij, Thaçi ka bërë të ditur detajet në lidhje me “ruajtjen e karakterit unitar të sistemit doganor të Kosovës, të themelimit të fondit për zhvillimin e veriut të vendit”.

“Të gjitha të ardhurat nga doganat, akcizat dhe TVSH-ja në pikat 1 dhe 31 do të mblidhen sipas ligjeve të Kosovës dhe do të derdhen në thesarin e shtetit – ka theksuar kryeministri Thaçi duke sqaruar se “në ndërkohë, përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë do të hapë një llogari bankare në një nga bankat komerciale në Prishtinë, ku do të menaxhohen mjetet nga pika 1 dhe 31”.

Megjithatë, kryeministri Thaçi, tha se “fatkeqësisht, të gjitha këto të arritura nga dialogu kanë rënë nën hijen e zhvillimeve të ditëve të fundit”, që u gjeneruan nga heqja e njëanshme e Monumentit në Preshevë.

“Unë jam i bindur që ky ka qenë veprim i qëllimshëm i Daçicit, për të zhvendosur vëmendjen dhe për të provokuar reaksione në Kosovë”, ka theksuar kryeministri Thaçi, duke potencuar se “përdhosja e varrezave dhe monumenteve në disa vende në Kosovë është e turpshme, e lig, e papranueshme. Si Qeveri e kemi dënuar menjëherë këtë vandalitet dhe kemi kërkuar nga organet e rendit që të bëjnë punën e tyre për të sjellë para drejtësisë kryesit e këtyre veprave të liga”.

Në takimin me ambasadorët e vendeve të Kuintit, kryeministri Thaçi ka theksuar se Serbia i është kthyer sërish skenarit të vjetër për ndarje dhe shkëmbim territoresh.

“Veprimet në Preshevë janë pikërisht në funksion të këtij skenari”, ka thënë Thaçi.

“Unë e kam thënë shumë herë, që ne nuk jemi të përgjegjshëm vetëm para vendit tonë, por edhe para rajonit. Nuk kam nevojë t’iu flas juve për pasojat katastrofike që do të prodhonte tendenca për ndryshim kufijsh në Ballkan. Andaj, edhe deklarimi  juaj i shpejtë dhe i qartë për këtë çështje është i domosdoshëm”,  ka kërkuar kryeministri Thaçi.