E premte, tetor 31, 2014 Kosova 11:31

Lajmet

Arrestohen familjaret e Hamdi Sopës

Foto IlustrueseFoto Ilustruese
x
Foto Ilustruese
Foto Ilustruese
Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinës, Policia e Kosovës ka arrestuar të hënën 2 vajzat dhe bashkëshortën e të ndjerit Hamdi Sopa.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu ka thënë për Radio Evropa e Lirë se familjarë të ish-zyrtarit qeveritar janë arrestuar dhe aktualisht janë duke u mbajtur në stacionin policor për intervistim. “Me urdhër të Prokurorisë, ne kemi arrestuar 3 persona të gjinisë femërore të dyshuara për vrasjen e Hamdi Sopës dhe tashmë ato janë duke u intervistuar nga organet e rendit”, thotë Sadriu.

Ndërkohë, zëdhënsja e Zyrës së Kryeporkurorit të Shtetit, Liridona Kozmaqi ka konfirmuar për REL se tre personat e arrestuar nga policia janë bashkëshortja dhe dy vajzat e të ndjerit Sopa.

Ajo ka bërë të ditur se ato tani më janë duke qëndruar në stacion policor, ndërsa prokurori i rastit pritet të kërkojë nga gjykata që personave në fjalë t’ju caktohet masë paraburgimi.

“Gruaja dhe dy vajzat kanë qenë në vend të ngjarjes kur ka ndodhur vrasja e të ndjerit Hamdi Sopa, kështu që prokoruri i cili po merrët me rastin ka kërkuar nga gjykata që sa më shpejtë t’ju caktohet një masë paraburgimi deri në fillim të një seance gjyqësore”, ka thënë Kozmaqi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së hënë ka lëshuar një komunikatë për media ku thotë se bazuar në raportin e hartuar me rastin e autopsisë së kufomës së të ndjerit Hamdi Sopa, kanë konstatuar se viktima është vrarë dhe jo vetëvrarë si është pandehur më parë.